Select Page

Allahu i Madhëruar na tregon gjendjen e munafikëve dhe atë të besimtarëve në momentin e shpalljes së ajeteve kuranore dhe dallimin e madh mes tyre. Ai thotë:

– “Sa herë që shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt ia shtoi besimin kjo sure?”” – Ajetet e Kur’anit pëmbajnë urdhëra e ndalesa, përmbajnë dituri dhe lajme rreth Zotit të Madhërishëm. Ajetet na mësojnë rreth emrave, cilësive e veprave të lavdishme të Allahut të Madhëruar. Ato hedhin dritë mbi çështje të fshehta dhe janë nxitje për vepra të mira e adhurime, si dhe nxitje për xhihad në rrugën e Zotit.

Por kur shpalleshin këto ajete plot me njohuri të vyera, disa thoshin: Kujt ua shtojnë besimin këto sure? Kujt i bëjnë dobi këto ajete? Sa ndikim kanë këto ajete në veprat e njerëzve?! Vërtet ju nxisin për vepra të mira? A ju ndihmojnë që t’i largoheni të ligës dhe që të shëroni zemrën? Por e vërteta është që suret e Kur’anit ua shtojnë besimtarëve imanin, diturinë, veprat e mira dhe largimin nga e keqja, prandaj ata gëzohen:

– “Po. Besimtarëve ua shton besimin dhe ata gëzohen.” – Besimtarët përgëzojnë njëri-tjetrin për mirësinë e madhe që Zoti u ka dhuruar me Shpalljen e Tij. Ata gëzohen dhe falënderojnë Krijuesin që ua mësoi ajetet e i bëri t’i kuptojnë ato, dhe – çfarë është më e rëndësishmja, – që u dha forcë e vullnet për të punuar dhe jetuar sipas tyre. Besimtarëve të vërtetë u zgjerohet gjoksi me Shpalljen e Allahut, u qetësohet zemra me ato porosi të vyera, prandaj dhe nënshtrohen menjëherë për të jetuar sipas mësimeve të Shpalljes. Por nuk janë kështu disa të tjerë, siç thotë Allahu i Madhëruar: