Pasi i mësoi besimtarët se kush duhet të luftojë e kush përjashtohet nga ky detyrim, i Lartësuari i mëson besimtarët se si duhet ta zhvillojnë xhihadin.
– “O ju që keni besuar! Luftojini jobesimtarët (agresorë) që janë pranë jush! Le ta ndiejnë ata ashpërsinë tuaj.” – Lufta zhvillohet duke nisur me ata që janë më afër. Allahu udhëzon për ashpërsi në luftën kundër mohuesve agresorë. Ai udhëzon për qëndrueshmëri dhe guxim në luftë. Pastaj i qetëson besimtarët luftëtarë, duke u thënë:
– “Dijeni mirë se Allahu është me të devotshmit!” – Mësojeni mirë, o besimtarë, se ndihma e Zotit vjen në varësi të devotshmërisë suaj. Bëhuni të devotshëm, atëherë, ashtu siç ju mëson Zoti, në mënyrë që Ai t’ju dhurojë fitoren mbi armiqtë! Ky ajet i përgjithshëm na mëson që lufta të nisë në fillim me mohuesit që janë më afër.
Megjithatë, nëse është e dobishme që të fillohet me armiqtë që janë më larg, atëherë ka raste të veçanta përjashtuese. Gjithmonë veprohet sipas urtësisë dhe si të jetë e dobishme për muslimanët, gjë të cilën e gjykojnë udhëheqësit dhe dijetarët e muslimanëve.