– “O ju që keni besuar!” – O ju që keni besuar Allahun dhe gjithçka që Ai ka urdhëruar të besohet, punoni dhe jetoni sipas këtij besimi. Besimi i vërtetë dhe i sinqertë kërkon që ju të jeni të devotshëm, duke përmbushur çdo porosi dhe duke u larguar nga çdo ndalesë. Devotshmëria arrihet veçse me një mënyrë: duke respektuar kufijtë e Zotit.
– “Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe jini gjithmonë me ata që janë të drejtë (në fjalë dhe në vepra)!” – Jini me të vërtetët dhe të sinqertët në fjalët, veprat dhe gjendjet e tyre. Jini të vërtetë në fjalë dhe të sinqertë në vepra. Kurrë mos u tregoni të plogësht e të dobët. Qëllimet tuaja të jenë gjithmonë të mira dhe të sinqerta. Sinqeriteti të çon në mirësi dhe mirësia të çon në Xhenet.