Select Page

– “Allahu ua pranoi pendimin Profetit, si edhe muhaxhirëve dhe ensarëve që e ndoqën pas në ato çaste të vështira, kur zemrat e disave prej tyre gati u lëkundën.” – Allahu i Lartësuar na njofton se si me mëshirën dhe bamirësinë e Tij, Ai i pranoi pendimin Profetit dhe pasuesve të Tij muhaxhirë dhe ensarë. Ai i fali ata për ndonjë gabim, ua shtoi të mirat dhe ua ngriti gradat. Kështu vepron Zoti me ata që sakrifikojnë për hir të Tij. Kështu veproi Zoti me ata që e ndoqën pas Profetin në ato çaste të vështira, drejt luftës së Tebukut.

Atëherë ishte nxehtësi përvëluese dhe kohë varfërie ekstreme, me mangësi në pajime dhe në mjete lufte. Armiqtë, që u kanoseshin gjatë gjithë rrugës, ishin të pabesë. Shkaqet për t’iu shmangur kësaj lufte ishin të shumta, por besimtarët iu mbështetën Allahut dhe i dolën në ballë kësaj përgjegjësie. Vështirësitë ishin aq të mëdha, sa disave gati iu doli zemra nga vendi. Madje, disa gati u dorëzuan dhe desh u tërhoqën. Por Allahu i Lartësuar i forcoi zemrat dhe këmbët e tyre në ato momente hezitimi e sprove. 

Ezzejg quhet devijimi i zemrës nga rruga e drejtë. Nëse ky devijim cenon themelin e besimit, konsiderohet kufër, por nëse cenon ndonjë ligj të fesë, atëherë gjykohet në varësi të shkeljes. Ajo mund të jetë moskryerje e ndonjë detyre fetare ose kryerje e ndonjë harami, ose edhe kryerje e detyrave të Sheriatit jo me formën dhe mënyrën e caktuar nga Zoti e Profeti i Tij. Sidoqoftë, i Madhëruari i shpëtoi të zgjedhurit e Tij nga çdo lloj devijimi dhe i ndihmoi të pendohen edhe për ndonjë hezitim a lëshim.

– “Allahu i fali ata. Ai është i Butë dhe Mëshirëplotë me ta.” – Është Allahu që ua mundëson të pendohen dhe, me mëshirën e dëshirën e Tij, ua pranon pendimin dhe i forcon të bëjnë durim përgjatë rrugës së drejtë.