– “Atëherë cili është më i mirë – ai që e ngre ndërtesën për devotshmëri dhe për Kënaqësi të Allahut, apo ai që ngre një ndërtesë rrëzë një shkëmbi ranor që është gati të thepiset, e bashkë me të bie në zjarrin e Xhehenemit?” – I pari është ai që ndërton një xhami me qëllim të mirë dhe me sinqeritet për kënaqësinë e Allahut, sipas normave të fesë së Tij.
Kjo është vepër e mirë dhe e begatshme. Vërej me kujdes! Kusht për mirësinë e një vepre është sinqeriteti ndaj Zotit dhe pasimi i traditës profetike dhe urdhrave të Zotit. Atëherë, a nuk është kjo xhamia më e mirë, apo është ajo xhamia tjetër, që ndërtohet buzë greminës dhe është gati të rrokulliset në Xhehenem? Mësojeni dhe mbajeni vath në vesh se:
– “Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë.” – Të padrejtët, të cilëve u mungon sinqeriteti dhe nuk ndjekin rrugën që Zoti ka treguar, kurrë nuk mund ta gjejnë udhën e drejtë, që përcakton çështjet e besimit, por edhe ligjet për një jetë të denjë në këtë dynja.