– “Ata do t’ju betohen që të jeni të kënaqur me ta. Por edhe nëse ju shprehni kënaqësi, Allahu nuk është i kënaqur me ata që i shkelin kufijtë e Tij.” – Përveç shfajësimit, ata njerëz të pështirë duan që ju të jeni të kënaqur me ta, a thua se asgjë nuk ka ndodhur. Por mësojeni mirë se, edhe nëse ju kënaqeni me ta, Allahu i Lartësuar kurrë nuk kënaqet me njerëz të prishur. Vëreni me kujdes! Në ajet nuk thuhet: “Allahu nuk kënaqet me ta”, por: “…nuk kënaqet me një popull që shkel kufijtë”.
Domethënë, Allahu i Madhëruar e ka lidhur ngushtë pakënaqësinë dhe zemërimin e Tij me cilësinë e keqe të kalimit të kufijve të Tij. Me fjalë të tjera, porta e pendimit është lënë e hapur për ta. Nëse ata, si çdo i pabindur tjetër, pendohen, Allahu e pranon pendimin e tyre. Allahu i Lartësuar është i pakënaqur nga ata për shkak të cilësisë që e pengon këtë gjë.
Ata shkelin kufijtë e Zotit, ata nuk i duan gjërat që Zoti kërkon prej tyre, si besimi i sinqertë dhe bindja ndaj Tij, por janë zhytur në vepra që zemërojnë të Drejtin, siç janë: idhujtaria, hipokrizia e poshtërsitë e tjera. Kështu, o besimtarë të sinqertë, edhe ju duhet të veproni njëlloj siç ju mëson Zoti juaj. Kurrë mos u kënaqni e miqësoni me të tillë njerëz, derisa ata të shfaqin sinqerisht pendimin dhe nënshtrimit ndaj Zotit, me fenë e Tij të pastër.
Shkurtimisht, Allahu i Madhëruar na bën të ditur se munafikët që iu shmangën thirrjes së Profetit për luftë, dëshironin që, me justifikimet dhe betimet e tyre, besimtarët jo vetëm t’i pranonin, por edhe të ishin të kënaqur me ta. Kjo nuk duhet të ndodhte kurrë! Nuk mund të jesh i kënaqur me ata që nuk i binden Zotit. Ata nuk e meritojnë dashurinë, miqësinë dhe respektin e besimtarëve.
Përkundrazi, atyre u kthehet shpina e braktisen, ashtu si largohesh nga gjërat e pështira e të poshtra. Ajeti që thotë: “…na ka treguar Allahu për veprat tuaja” është provë se Allahu i Madhëruar flet. E folura është atribut i Allahut të Madhëruar. Gjithashtu, ajeti tregon se Allahu i Madhëruar vepron sipas dëshirës dhe pushtetit të Tij, i pa ndikuar nga askush. Pjesa: “…veprën tuaj do ta shohë Allahu…” , tregon se Allahu i sheh veprat e robërve si para, ashtu edhe pas realizimit të tyre. Ajetet dëshmojnë se Allahu i Madhëruar i do punëmirët dhe të penduarit e sinqertë, ashtu sikundër i urren dhe zemërohet me ata që janë të prishur, që shkelin kufijtë e Tij.