Select Page

– “Ata që qëndruan pas (në luftën e tebukut) u gëzuan për qëndrimin e tyre pas të Dërguarit të Allahut dhe nuk dëshironin që të luftonin me pasuritë dhe vetet e tyre në rrugën e Allahut.” – Munafikët gëzohen për mosmarrjen pjesë në luftë me Profetin. Ata shfaqin mospërfillje për këtë gjynah kaq të madh. Kjo tregon për mosbesimin e tyre në Zotin dhe Profetin e tij.

Për këto çështje na tregon vetë Allahu i Madhëruar, i Cili shfaq haptazi atë që gjendet në zemrat e atyre të mjerëve. Ai thotë: “… ata u gëzuan për qëndrimin e tyre pas të Dërguarit të Allahut…”. Gëzimi i tyre është diçka më shumë sesa mospjesëmarrja në luftë, që është gjynah i madh. Po ata që kënaqen se nuk shkojnë në luftë?!

Këta të mjerë ndiejnë kënaqësi që nuk i binden Zotit dhe shesin mend mes tyre me diçka të tillë. I Madhëruari na njofton se munafikët nuk dëshironin që të luftonin me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e Tij. Kështu janë të mbushura zemrat e tyre, ndryshe nga zemrat e besimtarëve, të cilët, edhe kur janë të justifikuar për mospjesëmarrjen në luftë, trishtohen dhe sytë u lotojnë.

Ata nuk e mbajnë dot veten nga dëshira e madhe për të luftuar në rrugën e Zotit dhe për të lartësuar fenë e Tij me pasurinë dhe jetën e tyre. Kjo ndodh me ata, sepse zemrat e tyre janë të mbushura plot iman, shpresë dhe siguri për bamirësinë dhe begatitë e shumta që Zoti u premton.

– “Ata thanë: “Mos dilni në vapë!”” – Munafikët thanë se vajtja në luftë në mes të të nxehtit përvëlues ishte tepër e vështirë. Por këta të mjerë i dhanë përparësi rehatisë së përkohshme në jetën e dynjasë, e cila do të marrë fund shumë shpejt, kundrejt kënaqësisë së përhershme në Xhenet. Ata iu druajtën asaj nxehtësie, prej së cilës mund të shpëtosh duke gjetur hije në mbrëmje e mëngjes, por nuk u druajtën nga nxehtësia e atij zjarri, që vetëm Krijuesi ia di fuqinë përvëluese:

– “Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit e ka vapën edhe më të fortë.”, nëse kuptojnë.”! – Nëse do të gjykonin drejt dhe të kuptonin realitetin, nuk do ta bënin atë zgjedhje.