– “Kërko falje për ta ose mos kërko, por edhe nëse kërkon falje shtatëdhjetë herë, Allahu nuk do t’i falë,…” – Ky ajet tregon se, sado që të kërkosh falje për munafikët, Allahu i Madhëruar nuk ka për t’i falur ata. Qëllimi nuk është te numri i herëve. Domethënë, edhe nëse kërkon falje më shumë se shtatëdhjetë herë, Allahu i Madhëruar përsëri nuk ka për t’i falur ata.
Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Njëlloj është – kërkon apo nuk kërkon falje për ta, sepse Allahu nuk ka për t’i falur kurrsesi. Allahu nuk i udhëzon ata që i shkelin kufijtë.” [Munafikun 6]. Pastaj i Madhëruari tregon shkakun e mospranimit të istigfar-it dhe lutjeve për ta:
– “…sepse ata kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” – Mohuesit nuk i sjellin asnjë dobi lutjet e të tjerëve. Edhe veprat e tij janë të papranueshme, përderisa vazhdon të jetë kafir dhe vdes si i tillë.
– “Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që shkelin kufijtë.” – El Fasikin janë të shfrenuarit. Kështu quhen ata që kalimi i kufijve të Allahut u është bërë cilësi e pandashme. Ata nuk pranojnë kurrsesi që të largohen nga kjo rrugë dhe nuk e ndërrojnë atë me asgjë tjetër. Veprojnë kështu, sepse janë zhytur tërësisht në shfrenimin e tyre.
Kur u vjen e vërteta e qartë e Allahut, ata nuk e pranojnë, madje e refuzojnë me forcë. Për këtë arsye, i Madhëruari – me urtësinë dhe drejtësinë e Tij – i ndëshkon ata, duke i privuar nga udhëzimi, dhe atëherë ata kurrë nuk mund ta gjejnë më rrugën e drejtë.