Select Page

  Allahu i Madhëruar kërcënon munafikët me të njëjtin ndëshkim me të cilin goditi popujt e mëparshëm, që i kundërshtuan profetët dhe shpalljet e Zotit të tyre, si popullin e Nuhut, të Adit, të Themudit, popullin e Ibrahimit, Medjenit dhe Mu’tefikatit. Mu’tefikati ishte populli që banonte në fshatrat e popullit të Lutit. Të gjithë këtyre u erdhën të dërguarit me argumente të qarta, të vërteta dhe të shndritshme si dielli. Por ata i kundërshtuan, prandaj u përfshinë nga ndëshkimet që na janë treguar.

Kujdes, pra, o munafikë të mjerë, se edhe veprat tuaja janë të ngjashme me të tyret, prandaj ju pret i njëjti ndëshkim si ata. Ju u dëfryet të shfrenuar me mirësitë e kësaj bote, duke i përdorur ato jo për qëllimet që kërkon Zoti, por për kundërshtime e gjynahe ndaj Zotit. Ju, ashtu si popujt e shkatërruar, u zhytët në poshtërsira e kufër, e përqafuat të kotën dhe luftuat kundër të vërtetës së Zotit, prandaj meritoni ndëshkimin, ashtu sikurse edhe popujt para jush.

Ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë besimtarët. Ata, – edhe pse kënaqen me mirësitë e kësaj bote, që Zoti u jep, – ndryshe nga mohuesit dhe munafikët, këto kënaqësi i shfrytëzojnë për të shtuar edhe më shumë bindjen ndaj Zotit dhe adhurimin ndaj Tij. Ata janë të ekulibruar në kënaqësitë e kësaj bote, duke u kufizuar në hallallin e Zotit dhe në qëllimin e mirë për t’u forcuar edhe më shumë në shërbimin ndaj Zotit. Ndërsa dituria e tyre është dituria e trashëguar me besnikëri nga profetët e Zotit.

Përmes kësaj diturie, ata arrijnë gradën e jakin-it, që është siguria e plotë në të gjitha çështjet e larta dhe madhore që krijesat e Zotit duhet të dinë. Ata e mbrojnë të vërtetën e Zotit, duke e lartësuar atë në përballje me të kotën. Gjithashtu, ndëshkimi i të Lartësuarit për mohuesit e së vërtetës nuk është aspak padrejtësi ndaj tyre. Janë ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes, duke bërë gjynahe dhe duke kundërshtuar profetët, si çdo arrogant tjetër.