Select Page

– “Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri tjetri: urdhërojnë për ligësi, ndalojnë nga e mira dhe janë dorështrënguar.” – Munafikët janë pjesë e njëri-tjetrit, sepse ata i bashkon hipokrizia dhe miqësia me njëri-tjetrin. Ajeti tregon që besimtarët nuk duhet të lidhin miqësi dhe aleancë me munafikët. Pastaj i Madhëruari bën një përshkrim të përgjithshëm të munafikëve.

Së pari, ata urdhërojnë për ligësi, që nënkupton: mohimin e Zotit dhe asaj që Ai ka urdhëruar të besohet e pasohet; shkeljen e kufijve të Zotit dhe mosbindjen ndaj Tij; shkeljen e urdhrave të Zotit. Së dyti, ata ndalojnë nga të mirat, që nënkupton besimin e drejtë dhe të sinqertë, moralin e lartë dhe veprat e mira dhe të sinqerta. Së treti, ata janë dorështrënguar, domethënë nuk shpenzojnë për bamirësi. Ajo që i përmbledh të gjitha këto cilësi të ulta, – që është edhe shkaktarja e tyre, – është cilësia e radhës:

– “Ata e kanë harruar Allahun, prandaj Ai i ka harruar ata.” – Ata e kujtojnë Allahun shumë pak, prandaj edhe Ai i ka lënë të harruar ata, duke i përjashtuar nga mëshira e Vet. Prej kësaj, ata nuk kanë sukses të bëjnë vepra të mira dhe kurrë nuk kanë për të hyrë në Xhenet. Madje, ata do të braktisen e harrohen në shtresën më të ulët të zjarrit përjetësisht.

– “Nuk ka dyshim se hipokritët janë të pabindur.” – Duket sikur i Madhëruari e kufizon prishjen e mosbindjen (fisk) vetëm te munafikët, por kjo nuk do të thotë se nuk ka të tjerë që janë të prishur e të pabindur. Përkundrazi, kjo bëhet vetëm për të treguar se ‘prishja’ e munafikëve është shumë më e madhe se e të tjerëve, prandaj edhe ndëshkimi i tyre do të jetë më i madh se i të tjerëve. Arsye tjetër është se besimtarët sprovohen më shumë prej tyre, sepse ata gjenden mes radhëve të besimtarëve dhe ruajtja prej tyre është shumë më e vështirë se ruajtja nga të tjerët.