Select Page

Është Allahu Ai i Cili e bëri natën për ju që të pushoni, ndërsa ditën të ndritshme.Ju qetësoheni natën në gjumë e bini në qetësi të thellë kur errësira mbulon faqen e dheut. Nëse drita dhe aktiviteti juaj do të vazhdonte pandërprerë ju nuk do të gjenit prehje. Ndërsa ditën Zoti e bëri të shndritshme, që krijesat të shohin dhe të kërkojnë mirësitë e jetës së tyre si dhe të besimit e të fesë së tyre.

Në këtë ka, vërtet Argumente për ata që dëgjojnë.Për ata që dëgjojnë shpalljet e Zotit me qëllimin që të kuptojnë të vërtetën dhe ta pranojnë atë, që duan të udhëzohen tek e mira dhe e drejta e jo me dëgjim të mbuluar nga mendjemadhësia e inati; për ata argumentet dhe faktet e Zotit janë mëse të mjaftueshme. Me të tilla shenja, të mençurit argumentojnë se Allahu është i vetmi që meriton adhurimet, ndërsa çdo adhurim që nuk i bëhet Atij dhe çdo i adhuruar përveç Tij janë të kota dhe trillime. Allahu është i Buti, Mëshirëploti, i Gjithëdituri dhe i Urti.