– “Sikur të kishte qenë ndonjë fitim i shpejtë dhe udhëtim i lehtë, ata do të kishin ardhur pas teje; por për ta ajo ishte një rrugë e gjatë dhe e rëndë.” – Udhëtimi për të shkuar në luftë kundër romakëve iu duk shumë i gjatë dhe i vështirë, prandaj ata u treguan të plogësht dhe nuk lëvizën që të shkonin bashkë me Profetin. Kjo nuk ishte një sjellje që shprehte devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar.
Adhurues i vërtetë i Allahut të Lartësuar është ai që i nënshtrohet dhe e adhuron Atë në të gjitha gjendjet. Adhuruesi i vërtetë i bindet Zotit në të gjitha kërkesat dhe porositë që Ai jep. Adhurues i vërtetë është ai i cili e realizon adhurimin e Allahut të Lartësuar qoftë kur bëhet fjalë për çështje të thjeshta, qoftë kur bëhet fjalë për çështje të vështira. Në vijim thotë Allahu i Lartësuar:
– “Ata do të betohen në Allahun: “Sikur të kishim mundësi, do të dilnim me ju.”.” – Ata do të justifikohen duke nxjerë lloj lloj arsyesh për t’u shfajësuar, madje do të betohen përpara teje për këto çështje. Në të vërtetë, kështu ata shkatërrojnë vetveten:
– “Ata kështu shkatërrojnë veten e tyre. Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.” – Duke mos marrë pjesë në luftë dhe duke sjellë lloj lloj justifikimesh, që nuk janë të vërteta, ata thjesht shkatërrojnë vetveten. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.” Këto qortime dhe fjalë të rënda janë në adresë të hipokritëve, të cilët nuk iu përgjigjën kushtrimit të dhënë nga Profeti për të marrë pjesë në luftën e Tebukut.
Të gjithë këta nxorrën lloj lloj justifikimesh për të mos marrë pjesë në luftë. Profeti ua pranoi justifikimet pa i hetuar dhe pa u kërkuar shpjegime të hollësishme, që të shihej cili ishte i sinqertë dhe cili ishte shtiracak. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e qorton Profetin e Tij që u nxitua të pranonte justifikimet e tyre: