Select Page

– “Tek Allahu numri i muajve (të vitit) është dymbëdhjetë. Kështu është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën.” – Zoti ka caktuar që numri i muajve të jetë dymbëdhjetë. Kështu është shkruar në Librin e Zotit. Që ditën kur Allahu i Madhërishëm krijoi qiejt, tokën, natën dhe ditën dhe përcaktoi ndarjen e kohës, vendosi që numri i muajve të jetë dymbëdhjetë.

“Prej tyre, katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë.” – Katër muajt e shenjtë janë: Rexheb, i cili është muaj më vete, dhe tre të tjerë që janë të njëpasnjëshëm: Dhul Ki’de, Dhul Hixhe dhe Muharram. Janë të shenjtë për shkak të rëndësisë së tyre dhe të ndalimit të luftës gjatë tyre.

– “Pra, mos e ngarkoni veten tuaj gjatë tyre.” – Allahu i Madhëruar na urdhëron që të jemi të ruajtur dhe të mos ngarkojmë veten me gjynahe në to. Fjala “në to” mund të kuptohet në dy mënyra:

1. Dymbëdhjetë muajt. Në këtë rast, kuptimi do të ishte: “Mos e ngarkoni veten tuaj gjatë 12 muajve. Është Allahu që i përcaktoi këta muaj dhe që na urdhëron që këtë kohë ta mbushim me bindje dhe adhurim ndaj Tij. Ai urdhëron që ta lavdërojmë, falënderojmë dhe t’i shprehim mirënjohjen për këtë përcaktim të bukur të Tij dhe mirësitë e shumta të tjera që na ka falur. Allahu i Madhëruar i ndihmon robërit e Tij që të arrijnë mirësitë e Tij gjatë këtyre muajve dhe stinëve të përcaktuara aq me urtësi, mëshirë dhe dashuri për ta.

2. Katër muajt e shenjtë. Në këtë rast, kuptimi do të ishte: “Mos e ngarkoni veten tuaj gjatë katër muajve të shenjtë.” Padrejtësia është e ndaluar në çdo kohë dhe vend, por në këto katër muaj ndalesa është më e fortë dhe më e rëndësishme. Ndër çështjet që ndalohen në këto muaj është edhe zhvillimi i luftimeve, sipas mendimit që thotë se ndalimi i luftës në këta muaj nuk është anuluar. Këta mbështeten në tekstet e përgjithshme, të cilat ndalojnë luftën përgjatë këtyre muajve. Por sipas një mendimi tjetër, ndalimi i luftës gjatë muajve të shenjtë është një dispozitë e anuluar, duke marrë për bazë aspektin përgjithësues dhe gjithëpërfshirës të disa teksteve të Sheriatit, si për shembull, ajeti:

– “Luftojini të gjithë idhujtarët bashkërisht, siç ju luftojnë ata ju bashkërisht!” – Luftojini të gjithë llojet e idhujtarëve dhe mohuesve, që nuk e besojnë Zotitn e botërave plotësisht dhe korrektësisht. Të mos veçoni dhe përjashtoni nga ky gjykim asnjë prej tyre. Trajtojini të gjithë idhujtarët dhe mohuesit e Zotit të botërave, pa përjashtim, si armiqtë tuaj, ashtu sikurse edhe ata ju trajtojnë ju si të tillë. Ata i trajtojnë besimtarët si armiqtë e tyre dhe nuk kursehen aspak për t’i dëmtuar dhe për t’i luftuar ata, prandaj edhe ju konsiderojini ata si të tillë. Tekste të tilla kanë natyrë gjithëpërfshirëse dhe nënkuptojnë anulimin e dispozitës së ndalimit të luftës gjatë muajve të shenjtë. Në ajetin e mësipërm, fjala  “të gjithë” (kaffeten) mund të merret me dy kuptime:

1. Luftojini idhujtarët të gjithë pa përjashtim, pra, të gjithë llojet e idhujtarëve.

2. Luftojini idhujtarët të gjithë ju, o besimtarë, së bashku. Domethënë, fjala ‘kaffeten’ ka mundësi të ketë kuptimin “të gjithë ju, o besimtarë”. Në këtë mënyrë, ky është një urdhër për të gjithë besimtarët, që të luftojnë kundër idhujtarëve dhe kundër mohuesve të Zotit të botërave. Nëse këtë fjali e marrim me kuptimin e fundit, sigurisht që ky gjykim me natyrë gjithëpërfshirëse, pra, ky urdhër i përgjithshëm që obligon të gjithë besimtarët të ngrihen në luftë kundër mohuesve, është specifikuar me ajete të tjera kuranore, sikurse është ajeti ku Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grup i tyre të mos shkojë një pjesë për t’u aftësuar në diturinë fetare dhe për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen tek ata, në mënyrë që ata të kuptojnë.” 

Me fjalë të tjera, jo të gjithë besimtarët e kanë detyrim që të ngrihen së bashku në luftë. Ajeti përjashton një grup besimtarësh për shkaqe të caktuara. Ai na mëson që ata të mos dalin në luftë, por të angazhohen me diçka tjetër, që është shumë e rëndësishme për besimtarët. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë:

  “E dijeni se Allahu është me të devotshmit!” – Të jeni të sigurt se Allahu i Lartësuar është me të devotshmit. Ai është në krah të të devotshmëve, duke u dhuruar ndihmë dhe fitore. Prandaj, ajo që është detyrë për ju, o besimtarë, është të përpiqeni maksimalisht që të pajiseni me devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar, fshehtazi dhe haptazi. Ju duhet të angazhoheni dhe të luftoni për të qenë gjithmonë në bindje ndaj Allahut të Lartësuar, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për luftën kundër mohuesve. Në një adhurim kaq madhështor, siç është xhihadi në rrugën e Zotit, besimtari më së shumti ka nevojë për devotshmëri. Vetëm në këtë mënyrë ai do të jetë triumfues mbi mohuesit dhe armiqtë e tij, të cilët luftojnë fenë e Allahut të Lartësuar.