– ”Çfarë do të mendojnë Ditën e Kijametit ata që shpifin rreth Allahut?” – Çfarë mendojnë ata të mjerë se do të bëjë Zoti me ta Ditën e Gjykimit? A e dinë ata të mjerë se zemërimi i të Plotpushtetshmit dhe ndëshkimi i Tij është i ashpër dhe i drejtë? Thotë i Madhëruari: “Ata që trilluan gënjeshtra ndaj Allahut, do t’i shohësh në ditën e kijametit me fytyra të nxira. A nuk është në xhehenem vendi i kryeneçëve (mohues të besimit)?” [Zumer 60].
– ”Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk falënderojnë.” – Mirësia dhe bujaria e Allahut ndaj njerëzve është e madhe dhe e paanë, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës. Ata jo vetëm që nuk falënderojnë Krijuesin, por i përdorin ato mirësi për të bërë vepra të liga e për të shprehur mosbindje ndaj Tij.
Një tjetër formë mosmirënjohjeje është edhe kur ato mirësi që Zoti i ka bërë të lejuara, ata ua bëjnë haram njerëzve, duke shpifur për Zotin. Janë të pakët ata që i njohin dhe i pranojnë mirësitë e Allahut, e lavdërojnë Dhuruesin dhe ato mirësi i përdorin për t’iu bindur sa më mirë Atij.
Me këtë ajet mund të argumentohet se, në origjinë, të gjitha ushqimet janë të lejuara, përveç atyre që Sheriati i Zotit i ka përcaktuar si të ndaluara. Allahu i kërcënoi e i qortoi rëndë ata që e bëjnë të ndaluar atë që Ai e ka bërë hallall dhe e ka zbritur për ta. Qoftë të lejuarat, qoftë të ndaluarat janë qartësuar nga vetë Zoti.