Select Page

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij dhe i thotë:

– ”Ata kërkojnë t’u tregosh: “A është e vërtetë ajo?” – Mohuesit, në formë arrogance e inati, të pyesin: A është e vërtetë ajo? A është e vërtet ringjallja e robërve  në ditën e premtuar për llogarinë e drejtë? A është e vërtetë që njerëzit do të ringjallen e tubohen për t’u llogaritur me drejtësi e shpërblyer sipas veprave të tyre?

A do të shpërblehen për veprat e mira e bindjen ndaj Zotit, dhe a do të ndëshkohen për mosbesimin dhe veprat e këqija? Thuaju atyre, duke u betuar për vërtetësinë e kësaj përgjigjeje dhe duke ua shoqëruar me argument të qartë dhe të prerë:

– ”Thuaj: “Po, pafsha Zotin tim! Ajo është mëse e vërtetë, dhe ju nuk do të mund ti shmangeni”. – Nuk ka dyshim për këtë. Ju nuk do të mund t’i shmangeni Zotit dhe ringjalljes. E si mund t’i shmangeni Atij që ju krijoi nga hiçi, kur nuk ekzistonit fare. Kështu, Ai ka për t’ju ringjallur e për t’ju shpërblyer sipas veprave tuaja.