– “Vallë, vetëm pasi të ndodhë, do ta besoni atë? Tani e besoni atë, kur më parë kërkonit përshpejtimin e tij?“ – Kështu, imani që shfaqet në momentet e zbritjes dhe ekzekutimit të ndëshkimit të Zotit është i pavlerë. Në momentet e përjetimit të ndëshkimit, kur të pretendojnë se besojnë, do t’u thuhet në formë poshtërimi e nënçmimi: “Tani e besoni atë, kur më parë kërkonit përshpejtimin e tij?”
Është rregull i pandryshueshëm i Zotit që të pranojë pendimin para zbritjes së ndëshkimit. Por nëse ndëshkimi fillon të ekzekutohet, atëherë besimi nuk i vlen më. Kështu na tregon Zoti për Faraonin, i cili, kur po mbytej, tha: “Besoj se nuk ka zot tjetër veç Atij të Cilit i besojnë bijtë e Izraelit. Edhe unë jam nga muslimanët.” [Junus 90]. Atij iu tha: “Vallë, tani po beson, ndërsa më parë kundërshtoje dhe ishe prej shkatërrimtarëve?!” [Junus 91].
Gjithashtu, i Lartësuari thotë: “Kur u erdhën të dërguarit me Shenja të qarta, ata u mburën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin. Dhe kur e panë Dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi.
I tillë është ligji i Allahut që ka vepruar ndaj robërve të Tij. Dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.” [Gafir 83 – 85]. Ndërsa këtu thotë: “Tani e besoni atë, kur më parë kërkonit përshpejtimin e tij?!” Pra, tani pretendoni se besoni, ndërkohë që vetë e kërkonit përshpejtimin e dënimit?! Ky është rezultati i veprave tuaja. Ky është ai që kërkonit t’ju vinte sa më shpejt.