– “O ju që keni besuar! Ka, vërtet shumë priftërinj dhe oshënarë që në mënyrë të paligjshme hanë pasurinë e njerëzve dhe i pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut.” – Ky ajet tregon përkujdesjen e madhe të Allajut të Lartësuar për besimtarët e Tij të dashur, kur i porosit që të ruhen nga ata priftërinj dhe oshnarë të cilët hanë pasurinë e njerëzve në mënyrë të paligjshme dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Dihet se ata marrin pasuri të dhuruar nga njerëzit, për shkak të diturisë dhe fesë së tyre, por ata, – në vend që t’i udhëzojnë në rrugën e drejtë dhe t’u shpjegojnë të vërtetën njerëzve, – i pengojnë nga kjo rrugë dhe nuk ua qartësojnë të vërtetën.
Kështu, ata i përvetësojnë pasuritë e njerëzve padrejtësisht, sepse nuk u ofrojnë atë për të cilën paguhen. Një tjetër mënyrë e përfitimit të padrejtë është edhe marrja e rryshfetit në këmbim të dhënies së gjykimeve që bien ndesh me ligjin dhe fenë e Zotit, vetëm e vetëm për të kënaqur njerëzit dhe për të përfituar nga pasuritë e tyre. Kështu, o ju besimtarë të vërtetë, kini kujdes dhe ruajuni nga këta priftërinj dhe oshnarë, në dy drejtime: nga zhvatja e pasurisë dhe nga devijimi që ata shkaktojnë.
– “Dhe ka nga ata të cilët e fshehin arin e argjendin dhe nuk e shpenzojnë atë në rrugën e Allahut. Lajmëroji ata për një dënim të dhembshëm!” – Ata e ruajnë arin e argjendin, pra, e fshehin atë dhe nuk e shpenzojnë në rrugët që të shpien tek Allahu, të cilat janë të shumta. Ata nuk i plotësojnë detyrimet pasurore, në lidhje me familjet apo të afërmit e tyre, dhe as nuk pyesin për zekatin, që është detyrim i madh fetar. Të tillë njerëz lajmërohen për një ndëshkim të dhimbshëm. Pastaj i Madhëruari e sqaron këtë ndëshkim, duke dhënë hollësi të tjera: