Mos u trishto për këta mohues dhe as mos kërko përjashtimin e ndëshkimit për ta. Ndëshkimi do t’i godasë në mënyrë të pashmangshme: ose në jetën e kësaj bote, që ta shohësh me sytë e tu dhe të qetësohet zemra jote, ose në ahiret, pas largimit tënd nga kjo botë. Allahu i Lartësuar ka për t’i njoftuar ata për çdo gjë që kanë bërë.
Ai i ka mbajtur ato shënim me hollësi e me drejtësi, ndërsa ata i kanë harruar. Allahu është mbikëqyrësi dhe dëshmuesi i gjithçkaje. Këto ajete janë sigurisht një kërcënim i ashpër për ta, por nga ana tjetër dhe një ngushëllim e qetësim i zemrës së Profetit a.s, të cilin e mohonte populli i tij plot urrejtje, inat dhe armiqësi.