– “Ka prej tyre që duken se të dëgjojnë me vëmendje ty.“ – Allahu i Madhëruar na tregon rreth disa mohuesve të Profetit dhe të Shpalljes që ai solli prej Zotit. Ai na tregon se ka prej tyre që duken sikur dëgjojnë. Ata shprehin njëfarë interesi për atë që Profeti (a.s) thoshte prej Shpalljes. Por, në fakt, ata nuk dëgjojnë me dëshirën dhe qëllimin për të mësuar dhe për të gjetur udhëzimin, por dëgjojnë të vendosur për të mohuar Shpalljen dhe me qëllimin e keq që të gjejnë ndonjë defekt dhe të çarë, për ta përdorur në qëllimet e tyre të këqija.
Ky lloj dëgjimi, sigurisht që është shumë i padobishëm dhe nuk u sjell vepruesve asnjë të mirë. Nuk ka çudi që atyre t’u mbyllet para syve porta e udhëzimit të vërtetë dhe të plotë. Qëllimi i tyre i keq i privon ata nga dobia e dëgjimit të Shpalljes dhe atyre nuk u jepet sukses nga Zoti që të marrin udhëzimin e plotë, për të jetuar sipas asaj që dëgjojnë e mësojnë. Prandaj i Madhëruari i Urtë thotë:
– “Por, vallë, ti do t’i bësh të shurdhrit të dëgjojnë, edhe kur ata nuk kuptojnë?!“ – Kjo pikëpyetje përmban brenda vetes një mesazh të sigurt dhe të padiskutueshëm. Ti nuk ke pushtet dhe mundësi që të bësh të dëgjojnë ata që janë të shurdhër dhe nuk mund të të dëgjojnë, edhe nëse u flet me zë të lartë, e sidomos kur i shton kësaj edhe faktin që ata nuk kanë logjikë dhe arsye, me të cilën të kuptojnë e arsyetojnë drejt.
Sikurse është e pamundur që të bësh të dëgjojë një të shurdhër që nuk ka logjikë e arsye, po ashtu është e pamundur për ty që t’i bësh të dëgjojnë mohuesit e kjo t’u bëjë dobi. Po, është e vërtetë që ata dëgjojnë argumentet, dhe kështu nuk kanë asnjë justifikim e argument para Zotit, por qëllimet e tyre të këqija dhe refuzimi i së mirës i bën ata që të mos e arrijnë udhëzimin e plotë, që mund të përfitohet nga dëgjimi i Shpalljes së Zotit.
Kjo portë e madhe diturie dhe mirësie u është mbyllur atyre të mjerëve. Të gjitha këto mesazhe që të afrojnë të mirën u janë privuar dhe penguar atyre të padrejtëve qëllimkëqij. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend edhe mbylljen e rrugës së dytë të marrjes së informacionit dhe udhëzimit, që është rruga e shikimit. Thotë i Madhëruari: