– “O ju që keni besuar! Idhujtarët janë vërtet të papastër, …” – Allahu i Madhëruar i njofton besimtarët se idhujtarët janë të papastër. Ata janë të pisët në besimet e tyre dhe në veprat që kryejnë. E ku ka papastërti më të madhe dhe më të dukshme sesa ajo e atij që adhuron zota të stisur, të cilët nuk mund të sjellin dëm e dobi dhe as nuk mund të ndihmojnë e të të shpëtojnë nga dënimi i Zotit. Ky është besimi i tyre.
Ndër veprat e tyre të shëmtuara janë edhe lufta kundër Allahut, pengimi dhe devijimi i njerëzve nga rruga e Allahut, ndihma dhe mbështetja në përhapjen e së kotës, refuzimi dhe urrejtja e të vërtetës. Ata bëjnë çdo punë të keqe, që sjell shkatërrimin e tokës. Kjo është arsyeja që ju duhet të pastroni Shtëpinë e Shenjtë, që është më e pastra dhe më e nderuara Shtëpi në faqen e dheut:
– “… prandaj mos i lini t’i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!” – Ky ishte viti i 9-të pas hixhretit, kur Ebu Bekri, bashkë me disa të tjerë, kreu haxhin. Profeti dërgoi djalin e xhaxhait të tij, Aliun, që të deklaronte distancimin nga çdo marrëveshje me idhujtarët se, pas atij viti, në Shtëpinë e Shenjtë nuk do të bënte më haxh asnjë idhujtar, se askush nuk do të lejohej më që të bënte tavaf rreth Qabes i zhveshur, siç ndodhte në kohën e injorancës. 86
Ky ajet nuk ka për qëllim papastërtinë fizike e trupore të idhujtarëve, por papastërtinë e tyre konceptuale e kuptimore. Mohuesit konsiderohen të pastër nga ana fizike, si të gjithë njerëzit. Argument për këtë është fakti se Allahu i Lartësuar e ka lejuar martesën me gratë e krishtera dhe çifute, ashtu si edhe komunikimin dhe bashkëjetesën me mohuesit. Nuk ka dëshmi që muslimanët t’i kenë trajtuar mohuesit si të pështirë dhe të papastër fizikisht, apo që të kenë urdhëruar që të pastrohemi pasi t’i prekim ata. Përkundrazi, qëllimi është që, ashtu sikundër teuhidi dhe imani janë të pastër dhe pastrues, ashtu edhe shirku është papastërti.
– “Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse Allahu, nëse dëshiron, ju bën të pasur me mirësinë e Tij.” – Nëse mendoni se pengimi i idhujtarëve nga Xhamia e Shenjtë do të bëhet shkak që ju të varfëroheni, atëherë dijeni dhe qetësohuni se është Allahu Ai që do t’ju begatojë nga mirësitë dhe bujaria e Tij. Furnizimi ose mirësitë nuk janë të kufizuara që të vijnë veçse nga një drejtim i caktuar. Madje, edhe nëse mbyllet një portë, hapen shumë të tjera, sepse bujaria e Allahut është e madhe dhe e gjerë, ashtu si mëshira e Tij është e pamatë, në mëyrë të veçantë për ata që e lënë diçka për hir të Tij. Le ta dinë dhe të jenë të bindur se Allahu është më Bujari i bujarëve.
Dhe vërtet, Allahu i Lartësuar e mbajti dhe e realizoi premtimin e Tij. Ai i pasuroi dhe begatoi shumë muslimanët me bujarinë e Tij. Aq shumë ua shtoi të mirat, sa që ata u bënë sundues të botës. Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse Ai dëshiron.” Kjo tregon se pasuria në këtë dynja është e lidhur me dëshirën dhe përcaktimin e Allahut. Pasuria nuk është e lidhur domosdoshmërisht me imanin, me kuptimin që sa më të plotë ta kesh imanin, aq më shumë pasuri do të kesh. Gjithashtu, pasuria e madhe nuk tregon domosdoshmërisht se Allahu të do. Allahu i Madhëruar ia jep të mirat e dynjasë atij që Ai e do dhe atij që Ai nuk e do. Por imanin dhe fenë, nga ana tjetër, Allahu ia jep veçse atij që Ai e do dhe e ka përzgjedhur.
– “Allahu është i Gjithëditur dhe i Urtë.” – Dituria e Zotit është e gjerë. Ai e di mirë se kujt i jepet pasuria dhe kush nuk është i përshtatshëm për të qenë i pasur. Allahu i vendos gjërat në vendin e vet dhe sipas urtësisë së Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “…mos i lini t’i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!”. Idhujtarët ishin kontrollues të Shtëpisë së Shenjtë deri ditën e çlirimit të Mekës, kur sundimi i takoi Profetit të Zotit dhe besimtarëve. Në këtë kohë, ata u afatizuan 4 muaj që të qëndronin në Mekë.
Pastaj, sipas këtij ajeti, ata nuk do të lejoheshin më t’i afroheshin Xhamisë së Shenjtë. Madje, Profeti urdhëroi që ata të dëboheshin krejtësisht nga rajoni i Hixhazit. Dhe me të vërtetë, pas vdekjes së Profetit, ata u dëbuan dhe në Hixhaz nuk kishte më dy fe. E gjitha kjo ishte për fjalën e Allahut të Madhëruar: “…mos i lini t’i afrohen Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti!”.
86 Akt-marrëveshja për garancinë e jetës dhe pasurisë, dhe vjelja e xhizjes. Profeti a.s. nuk i mori askujt xhizje, derisa zbriti sureja Teube, në vitin e tetë pas hixhretit. Pas shpalljes së ajeteve të xhizjes, ai filloi mbledhjen e saj prej mexhusëve dhe prej ehlu kitab-ëve. Ai dërgoi Muadh Ibn Xhebelin në Jemen për të nënshkruar aktin e garancisë me çifutët që jetonin atje dhe ua bëri të detyrueshme dhënien e xhizjes. Profeti a.s. nuk mori xhizje prej çifutëve të Hajberit dhe disa, gabimisht, menduan se kjo ishte e veçantë vetëm për çifutët e Hajberit. Ata menduan se xhizja nuk merrej prej hebrenjve të Hajberit, edhe nëse merrej prej të tjerëve.
Por ky mendim është i gabuar, sepse Profeti a.s. luftoi kundër tyre dhe ra dakord me ta që t’i lejonte në atë tokë sa të dëshironte ai, ndërkohë dispozitat për xhizjen akoma nuk ishin shpallur. Lejimi i qëndrimit të tyre atje dhe marrëveshja me ta ndodhi para zbritjes së dispozitave të xhizjes. Më pas, Allahu i Lartësuar e urdhëroi atë që të luftonte ehlu kitab-ët derisa të jepnin xhizjen.
Nga ky gjykim përjashtoheshin banorët e Hajberit të asaj kohe, me të cilët tashmë ishte lidhur marrëveshja për të punuar ato toka dhe për t’u dhënë gjysmën e prodhimit muslimanëve. Për këtë arsye, ai nuk u kërkoi atyre diçka tjetër përveç asaj që ishte nënshkruar. Ndërsa të tjerët, me të cilët Profeti a.s. nuk kishte ndonjë marrëveshje paraprake, ishin të detyruar të paguanin xhizjen, si të krishterët e Nexhranit, çifutët e Jemenit etj. Megjithatë, kur Umeri i dëboi hebrenjtë e Hajberit, pakti i dikurshëm u prish, dhe ata u konsideruan tanimë si të gjithë ehlu kitab-ët e tjerë.
Disa vende islame, për shkak të paqartësisë së tyre ndaj qëndrimit të Profetit a.s., e anuluan marrjen e xhizjes prej çifutëve të Hajberit për një shkak të pavërtetë dhe të padrejtë: Një grup hebrenjsh u paraqitën atyre një dokument të falsifikuar, ku pretendohej se Profeti a.s. e ka ndaluar marrjen e xhizjes prej çifutëve të Hajberit. Këtë dokument, sipas pretendimit të tyre, e kishte nënshkruar dhe dëshmuar Ali Ibn Ebu Talibi, Sad Ibn Muadhi dhe një grup sahabësh.
Kjo “dëshmi” në sytë e atyre që nuk e njihnin traditën e Profetit a.s. në këto fusha, u duk e saktë dhe e pranueshme, dhe kështu gjykuan dhe vepruan. Por jo për sytë e shejhu të Islamit Ibn Tejmije. Kur atij i kërkuan që të ndihmojë në një gjykim të tillë, ai e pështyu atë dokument, dhe solli dhjetë argumente rreth pavërtetësisë së tij, nga të cilat, si më të rëndësishme, mund të përmendim:
Së pari, në të përmendet dëshmia e Sad Ibn Muadhit r.a., i cili pa dyshim është vrarë para betejës së Hendekut. Së dyti, në dokument thuhet se Profetit a.s. e ka anuluar marrjen e xhizjes prej tyre, ndërkohë që dispozitat e xhizjes akoma nuk ishin shpallur dhe asnjë sahab nuk dinte gjë për to, sepse shpallja e këtyre dispozitave u bë veçse në kohën e luftës së Tebukut, pas Hajberit plot tri vjet. Së treti, atje përmendet se Profetit a.s. i ka shfuqizuar të gjitha detyrimet e quajtura kulef dhe suhar, të cilat merreshin prej tyre.
Por kjo është një shpifje e pastër kundër tij, sepse ai kurrë nuk pati vendosur të tilla detyrime as atyre, as ndonjë tjetri. Allahu i Lartësuar e kishte ruajtur Profetin e Tij nga të tilla padrejtësi, që u shkonin për shtat veçse mbretërve të padrejtë. Madje edhe pas Profetit a.s. e tillë rrugë u ndoq. Gjithashtu, një dokument të tillë nuk e ka përmendur asnjë dijetar, të çfarëdo lëmije qofshin ata. Për të nuk ka folur asnjë historian, kronist, dijetar hadithi a i traditës, as jurist dhe myfti e asnjë shpjegues Kur’ani.
Madje një dokument të tillë ata nuk e shfaqën kurrë gjatë kohërave të para të selefëve, sepse nëse do ta shfaqnin, do të dilte sheshit mashtrimi i tyre. Por në të tilla kohë sprovash, kur njerëzit janë larguar nga njohuria e haditheve dhe traditës së Profetit a.s. në të gjitha lëmitë e jetës së tij, ata e falsifikuan dhe paraqitën një dokument të tillë, duke u ndihmuar nga disa tradhtarë të fesë së Allahut dhe të Profetit a.s. Por nuk kaloi shumë kohë që ky turp të zbulohej nga trashëgimtarët e profetëve a.s. (dijetarët).
A lejohet marrja e xhizjes prej të tjerëve që nuk janë çifutë, të krishterë dhe mexhusë?
Kur u shpallën ajetet e xhizjes, Profeti a.s. filloi ta mblidhte atë prej tri bashkësive: prej mexhusëve, çifutëve dhe prej të krishterëve. Ai nuk mori xhizje prej adhuruesve të idhujve.
Kësisoj, disa thonë se marrja e xhizjes lejohet veçse prej këtyre tri bashkësive, sepse kështu veproi edhe Profeti a.s. Disa të tjerë thonë se xhizja u merret edhe të tjerëve përveç tri grupeve të përmendura, domethënë edhe prej adhuruesve të idhujve që nuk janë arabë. Me mendimin e parë kanë qenë imam Shafiiu dhe imam Ahmedi – sipas njërit mendim të transmetuar prej tij. Ndërsa me mendimin e dytë janë imam Ebu Hanife dhe imam Ahmedi – sipas transmetimit tjetër të ardhur prej tij. Allahu i mëshiroftë të gjithë!
Pasuesit e qëndrimit të dytë thonë se Profeti a.s. vërtet nuk mori xhizje prej idhujtarëve arabë, por kjo ndodhi për shkak se dispozitat e xhizjes u shpallën pasi fiset arabe kryesisht e kishin pranuar Islamin dhe në gadishull nuk kishin mbetur këmbë idhujtari. Dispozitat e xhizjes zbritën pas çlirimit të Mekës, kur arabët filluan të hyjnë në fenë e Allahut grupe-grupe dhe në tokat e tyre nuk kishte më idhujtarë. Pikërisht për këtë arsye, Profeti a.s., pas çlirimit të Mekës, u drejtua për në Tebuk, tek të krishterëve. Nëse pranë tij do të kishte arabë të padorëzuar, ai nuk do t’u shkonte atyre që ishin më të largëtit.
Ai që ndjek me vëmendje historinë dhe kronikat e ditëve të Islamit, e kupton se çështja vërtet qëndron kështu. Pra Profeti a.s. nuk mori xhizje prej tyre jo sepse nuk duhej marrë prej tyre, por sepse nuk kishte më të tillë. Argument për këtë është edhe fakti që Profeti a.s. ua mori xhizjen edhe mexhusëve, ndërkohë që ata nuk pretendojnë se kanë ndonjë tekst libër hyjnor. Nuk ka asgjë të saktë që të mund të vërtetojë se ata janë ehlu kitab-ë (ndjekës të një libri). Edhe ka ndonjë hadith që mund të aludojë për këtë mendim, themi gjykimi i ndërtuar mbi të është i pasaktë, madje i pasaktë është edhe vargu i transmetuesve të tij.
Nuk ka ndryshim mes adhuruesve të zjarrit (mexhus-ëve) dhe adhuruesve të idhujve. Madje mund të konstatojmë se adhuruesit e putave ishin më afër ehlu kitabëve, sesa adhuruesit e zjarrit, sepse ata vazhdonin të ishin fanatikë ndaj disa riteve të vjetra të fesë së Ibrahimit a.s, gjë të cilën nuk e kanë adhuruesit e zjarrit. Madje, a nuk ishin pikërisht adhuruesit e zjarrit armiqtë e Ibrahimit a.s, armiq të atij që ishte i dashuri i Allahut? E pra, nëse xhizja u mor prej tyre, atëherë është më se e pranueshme, madje parësore, që të merret edhe prej adhuruesve të putave. Këtë gjykim e përkrahin edhe transmetimet e sakta të ardhura nga Profeti a.s.
Kështu, në Sahihun e Muslimit shënohet që Profeti a.s. ka thënë: “Kur të ballafaqohesh me idhujtarët armiq, ftoi ata në një nga tri gjërat. Nëse të binden, pranoji prej tyre dhe largoju luftës”, duke e patur fjalën për Islamin, xhizjen ose luftën. Mugira i tha përfaqësuesit të Kisras: “Profeti ynë na ka urdhëruar që t’ju luftojmë ju, derisa të adhuroni Allahun (si një të vetëm) ose të jepni xhizjen.” Profeti a.s. iu drejtua kurejshëve: “Përse nuk e thoni një fjalë, që përballë jush të nënshtrohen arabët dhe, për shkak të saj joarabët t’u japin xhizjen?!” Ata thanë “Ç’është ajo fjalë?” Ai u përgjigj: “La ilahe il-Allah.” Gjatë kthimit prej Tebukut, skuadrat e Profeti a.s. zunë rob Ukejdir Dûmen. Profeti a.s. e liroi atë në shkëmbim të xhizjes dhe i fali jetën dhe pasurinë.