Idhujtarët, – edhe pse adhuronin idhujt, për të cilët Allahu nuk u kishte dhënë asnjë argument, – e besonin dhe pranonin se Allahu është i vetmi për sa i përket rububije-s. (Njëshmërisë së Tij në Zotërimin dhe sundimin mbi krijesat) Në këto ajete i Lartësuari këshillon që t’u kujtojmë idhujtarëve diçka që ata e pranojnë, për t’i bërë të reflektojnë dhe të kthehen në rrugën e drejtë, domethënë në njësimin e Zotit edhe në çështjen e uluhije-s (Njëshmërisë së Tij në meritën e adhurimit të Tij si Një dhe i Vetëm.) Thotë i Madhëruari:
– “Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e toka dhe kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj? ” – Mendohuni pak, o idhujtarë të mjerë, kush është i vetmi që ju lëshon nga qielli rriskun me shiun? Po prodhimet nga toka kush i nxjerr? Kush e ka bërë tokën të përshtatshme për të marrë prej saj gjithçka që ju nevojitet? A nuk është Zoti ai që i krijoi ato dhe që i ka nën sundimin e pronësinë e Tij?
Kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj? Zoti veçon këto dy mirësi të domosdoshme (dëgjimin e shikimin) për të na kujtuar edhe shumë e shumë mirësi të tjera, që vijnë poshtë tyre për nga rëndësia. Nuk ka dyshim se këto të dyja janë nga mirësitë më të dobishme dhe më të rëndësishme që Zoti jep dhe krijon.
– “Kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe kush e nxjerr të vdekurin nga i gjalli? ” – Ai e nxjerr jetën nga diçka e vdekur, si p.sh. bimët e pemët nga një farë, ose një jobesimtar e bën besimtar, ose nxjerr zogun nga veza ose raste të ngjashme. Ai e nxjerr edhe të vdekurin nga i gjalli, siç ndodh me të kundërtat e atyre që u përmendën.
– “Kush është Ai që rregullon çdo çështje? Ata do të thonë: “Allahu”. – Kush është Ai që administron dhe rregullon çështjet e krijesave të botës së sipërme dhe asaj të poshme. Tedbir-i (përkujdesi) i Tij është gjithëpërshirës dhe absolut, nga i cili nuk përjashtohet asgjë. Kështu, nëse i pyet ata për diçka të tillë, do të thonë: Allahu, sepse e pranojnë gjithçka prej rububijes dhe njëshmërisë së Zotit në këto çështje. Atëherë, duke i bërë të mendojnë e gjykojnë drejt, thuaju:
– “Thuaj: “Atëherë, nuk keni frikë?” – A nuk i frikësoheni ndëshkimit dhe zemërimit të Tij? Ju nuk keni asnjë mundësi tjetër për t’i shpëtuar atij, por veçse duke e njësuar Atë në adhurim. Adhurojeni vetëm Atë me sinqeritet dhe ashtu si ju ka urdhëruar Ai përmes shpalljes së Tij. Largojuni njëherë e mirë poshtërsive dhe adhurimit të idhujve dhe nënshtrohuni të adhuroni Zotin si një të vetëm dhe të jetoni sipas shpalljes së Tij.