– “Si mund të kenë besë ata, të cilët, nëse ju mundin, nuk përfillin as farefisni e as marrëveshje me ju?!” – Ata nuk kanë asnjë të drejtë që të kërkojnë pakt dhe siguri prej muslimanëve, sepse janë njerëz të pabesë, që nuk iu qëndrojnë asnjëherë pakteve. E si kërkojnë pakt ata të cilët, nëse ju mundin, nuk përfillin as farefisni e as marrëveshje me ju?!
Nëse ata marrin epërsi ushtarake e numerike ndaj jush, atëherë nuk njohin më as kufij dhe as të drejta, nuk njohin më farefis apo marrëveshje me ju. Ata nuk i frikësohen Allahut në trajtimin tuaj, madje do t’ju ndëshkojnë ashpër dhe pa mëshirë. Kështu do të trajtoheni prej tyre, nëse marrin epërsi mbi ju. Kurrë mos u mashtroni nga mirësjellja e tyre atëherë kur ju jeni më të fuqishëm sesa ata. Kur ju jeni të fuqishëm është normale që:
– “Ata ju bëjnë lajka me fjalë, kurse me zemër ju kundërshtojnë fort.” – Ata thjesht ju bëjnë qejfin në fjalë, por me zemër nuk duan drejtësi dhe respekt për ju. Ata janë në realitet armiqtë tuaj të përbetuar.
– “Shumica e tyre janë të ligj.” – Ata nuk kanë fe, që t’i nënshtrohen dhe t’i përmbahen. Ata nuk kanë as burrëri dhe personalitet, që t’i qëndrojnë fjalës dhe marrëveshjeve. Gjithçka që dëshirojnë është përbushja e interesave të kësaj dynjaje dhe epsheve të tyre pa fre.