Select Page

– ”Jeta e kësaj bote ngjan me shiun që lëshojmë nga qielli, me anë të të cilit harlisen bimët e tokës, prej nga hanë njerëzit e kafshët …” – Ky është nga shembujt më të bukur, që tregon me shumë përpikmëri gjendjen reale të kësaj bote dhe mënyrën se si duhet të shihet ajo. Nëse ndonjëri sheh prej kësaj bote shumëllojshmëri kënaqësish e dëshira të plotësuara, – dhe këtë nuk e arrijnë të gjithë, – le ta dijë se ajo është e përkohshme dhe shumë e shkurtër.

Atëherë kur ajo arrin kulmin me bukuritë e saj, mund ndodhin dy gjëra: ose përjetuesi largohet prej saj, ose ajo largohet prej duarve të tij, duke e lënë atë duarbosh. Pas kësaj, zemra mbushet me trishtim, dëshpërim, pengje e dhimbje të forta. E tillë është kjo botë: në të mbijnë e rriten shumëllojshmëri bimësh. Ajo lulëzon prej bimësisë me të cilën ushqehen njerëzit, si frutat, drithërat etj., dhe prej bimësisë me të cilën ushqehen kafshët, siç janë të gjitha llojet e barërave e kullotave.

– “… derisa Toka merr stolinë dhe zbukurohet, ndërsa banorët e saj mendojnë se e kanë në dorë. ” –  Ajo zbukurohet për ata që e shohin. Ajo vishet me një stoli tërheqëse, që i kënaq të gjithë ata që e sodisin. Ajo ofron dëfrime për ata që i shkojnë pas, por për ata që dinë të shohin qartë, në të ka shenja të dobishme dhe argumente udhëzuese. Të çuditshme dhe marramendëse janë pamjet e saj. E sheh të gjelbëruar, të lulëzuar, të verdhë, të bardhë vezulluese, e plot pamje magjepsëse.

Në të tilla kushte, ata mendojnë se kanë në dorë gjithçka, sikurse thotë i Lartësuari: “… banorët e saj të mendojnë se e kanë në dorë.” Ata mendojnë se do të arrijnë gjithçka që dëshirojnë në të dhe se ajo nuk do të shterë kurrë. Ndodh kështu, sepse të gjitha dëshirat dhe motivet e tyre janë të lidhura fillim dhe mbarim me të. Ajo është kufiri i njohurive dhe synimeve të tyre. Pikërisht në këtë gjendje ata do të befasohen me diçka shumë dëshpëruese:

– “Por kur asaj i vjen urdhri Ynë, natën ose ditën, Ne e bëjmë atë të korrur, sikur të mos kishte ekzistuar një ditë më parë. ” –  Bëhet njëlloj sikur ajo botë e bukur të mos kishte ekzistuar asnjëherë, sepse tani shihet veçse kjo gjendje e trishtë dhe dëshpëruese.

– “Kështu ua sqarojmë Argumentet njerëzve që mendojnë.” – Përmes këtyre përshkrimeve, Allahu i Madhëruar i sjell më pranë mendjes njerëzore mesazhet madhështore dhe të dobishme, që janë udhëzuese drejt mirësisë e lumturisë. Por ato janë të tilla për ata që meditojnë dhe përdorin logjikën e tyre për të arritur atë që u sjell lumturinë e vazhdueshme e të pashueshme.

Ndërsa të pakujdesshmit, të zhyturit në gjumin e harresës dhe mosinteresimit për mesazhet e Zotit, ata i kanë kthyer shpinën shpalljeve, prandaj e kanë të pamundur të përfitojnë prej tyre. Shembujt dhe mesazhet e ndritura të Zotit nuk ua ndriçojnë rrugën dhe as ua largojnë dyshimin e mosbesimin të tillë njerëzve.