Select Page

– “… Ndiqni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj …” – Ndiqeni dhe përmbajuni Librit që Allahu e zbriti për mirësinë tuaj. Ai është Shpallja e Allahut, nëpërmjet së cilës Ai do ta plotësojë përkujdesin e Tij ndaj jush, do ta plotësojë mirësinë dhe begatinë mbi ju. Nëpërmjet tij, Ai do t’ju udhëzojë në moralin dhe veprat më të mira.

– “… dhe mos ndiqni mbrojtës të tjerë veç Tij!” – Mos pasoni udhëzim tjetër veç udhëzimit të Zotit dhe mos ndiqni dëshirat e të humburve! Kurrë mos i zgjidhni ata si miq dhe mbështetës! Për asgjë dhe për asnjë mos guxoni ta braktisni të vërtetën dhe këtë Shpallje të pakrahasueshme, që ju dhurua nga Zoti juaj!

– “Shumë pak po kujtoni.” – Nëse vërtet do të kujtoni dhe të arsyetoni drejt, kurrë nuk do t’u jepnit përparësi gjërave që ju dëmtojnë kundrejt atyre që ju sjellin dobi dhe mirësi, apo armikut kundrejt mikut të dashur dhe bamirës.