Select Page

Por, kur Ai i shpëton, ata përsëri i kalojnë kufijtë në tokë, pa asnjë të drejtë. Ata e harrojnë vështirësinë që kanë kaluar, i harrojnë lutjet dhe fjalët që i kanë drejtuar Zotit, dhe përsëri zhyten në kufër dhe shirk. Ata i kthehen sërish adhurimit të idhujve, për të cilët kanë dëshmuar vetë se nuk kanë asnjë mundësi për të dhënë ndihmë.

Madje, në ato kushte vështirësie, ata i harrojnë fare idhujt. Pse të mos ia përkushtojnë të gjitha adhurimet Allahut në kohë mirësie, ashtu sikurse ndodh në kohë vështirësie?! Por kjo padrejtësi godet vetëm ata. Prandaj i Lartësuari thotë:

O njerëz! Padrejtësia juaj është veçse kundër vetes suaj.  E shumta që mund të arrini përmes padrejtësive dhe përhumbjes tuaj larg sinqeritetit për Zotin, është që të arrini ndonjë kënaqësi të vogël e të kotë të kësaj bote ose ndonjë famë e interesa të pakta, që shumë shpejt përfundojnë e faniten. Do të vijë dita që do të zhduken të gjitha dhe ju, me hir a pahir, do të largoheni prej kësaj bote.

Ky është veçse një përjetim i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne. Ne do t’ju tregojmë gjithçka që keni bërë. Kthimi dhe tubimi i të gjithëve do të bëhet tek Zoti në Ditën e Gjykimit, kur Ai do të nxjerrë në shesh veprat e njerëzve dhe do t’i shpërblejë me drejtësi për gjithçka që kanë bërë. Ky ajet është një kërcënim shumë i rëndë e i frikshëm për njerëzit, që të mos vazhdojnë në punë të këqija, por të kthejnë rrugë sa nuk është vonë.