– ” Ai jua bëri të mundur udhëtimin në tokë e në det.” – Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar bëri një përshkrim të përgjithshëm të njerëzve të cilët nuk dinë të reagojnë me mirënjohje kur, pas ndonjë fatkeqësie, Ai i begaton me mëshirën e Tij dhe, pas vështirësisë, u sjell lehtësimin. Në ajetet në vijim, Ai sjell një rast që e shpjegon dhe e përforcon edhe më shumë këtë sjellje të tyre. Kur janë në mes të oqeanit të egërsuar dhe me dallgë tmerruese, ata i zë frika e vdekjes. Allahu i Madhëruar thotë:
– “Kur janë në anije, të cilat i lëviz era e lehtë, ata janë të lumtur me këtë; …” – Në bazë të ligjeve të caktuara nga Ai për të mirën tuaj, ju mund të ndërtoni anije dhe të udhëtoni në det këndshëm dhe pa u shqetësuar nga asgjë. Ju gëzoheni me erën e mirë dhe qetësoheni me të. Por kur jeni në një situatë tjetër:
– “… por, kur vjen ndonjë erë e fortë dhe ata përfshihen nga valët nga të gjitha anët, ata binden se janë të shkatërruar; prandaj e lusin Allahun me sinqeritet, duke iu përkushtuar vetëm Atij në fenë e Tij (duke thënë): “Nëse na shpëton nga kjo gjendje, ne do të të jemi gjithnjë falënderues.” – Gjendja ndryshon kur ata goditen nga ndonjë stuhi e fortë me dallgë, që i përfshin nga çdo anë. Në të tilla kushte, ata e shohin fundin afër dhe kështu e shkëpusin çdo lidhje dhe shpresë nga krijesat.
Në ato momente binden se askush nuk mund t’i shpëtojë nga ajo vështirësi veç Zotit, prandaj edhe i luten me sinqeritet e përkushtim Atij, duke premtuar se: “Nëse na shpëton nga kjo (katastrofë), ne do të jemi gjithnjë falënderues.”