– “Ata adhurojnë veç Allahut atë që nuk mund ti dëmtojë e as mund t’u sjellë dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.”. – Allahu i Lartësuar na njofton rreth adhurimit të idhujtarëve, të cilët e mohojnë Profetin e Tij. Ata adhurojnë veç Allahut diçka që nuk u sjell as dëm e as dobi. Ata nuk posedojnë asnjë thërmijë pushteti e mundësie për ti sjellë robit ndonjë të mirë apo ta shpëtojnë nga ndonjë dëm.
Ata, pa pasur asnjë argument thanë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.” pra këta ndërmjetësojnë për ne tek Zoti dhe na afrojnë më pranë Tij dhe përgjigjes së lutjeve tona. Prandaj ne u dedikojmë këtyre idhujve e ndërmjetësuesve adhurime e përkushtime. Kështu ata do të na afrojnë më afër tek Zoti. Por kjo fjalë ishte diçka thjesht e trilluar nga ata prandaj, duke treguar kotësinë e saj i Lartësuari thotë:
– “Thuaj: “Vallë ju do ta informoni Allahun për diçka që nuk e ditka, në qiej dhe në tokë?! ” – Allahu i Madhëruar është i Gjithëdituri. Dituria e Tij ka përfshirë gjithçka mes qiellit dhe tokës. Është pikërisht i Gjithëdituri që na ka njoftuar se nuk ekziston ndonjë Zot tjetër që të meritojë adhurimin dhe përkushtimin e krijesave, ashtu sikurse nuk ka shok në krijimin dhe sundimin e Tij.
Atëherë, si pretendoni ju, o idhujtarë, se Ai ka partnerë dhe ndihmëtarë në mbretërinë e Tij?! Mos vallë po e njoftoni Zotin për diçka që Ai nuk e di dhe e ditkeni ju?! Vallë, ju jeni më të ditur apo Zoti?! A ekziston, vallë, ndonjë fjalë dhe besim më i kotë dhe i pavlerë sesa ky besimi dhe fjalët tuaja, që nënkuptojnë dhe mëtojnë se jeni më të ditur se Zoti i botëve? Natyrisht, çdo i logjikshëm do të mjaftohej me këtë arsyetim, për të gjykuar se ky lloj besimi është i pavlerë dhe i kotë.
– “I lavdëruar dhe i lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ata adhurojnë veç Tij! “ – I pastër dhe i dëlirë qoftë Zoti nga shpifjet se Ai ka të ngjashëm dhe partner ndihmëtar në pushtetin e Tij dhe në meritën e adhurimit. Ai është Allahu, i vetëm dhe i pastër nga çdo mangësi. Ai është Es-Samed – i Plotë në mbretërimin, sundimin dhe pushtetin e Tij, Ai të cilit i drejtohen të gjitha krijesat për nevojat e tyre.
Në qiej dhe në tokë nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Çdo gjë që adhurohet veç Tij në këtë ekzistencë është kotësi, qoftë nga pikëpamja logjike dhe arsyeja e shëndetshme, qoftë nga aspekti sheriatik dhe argumentet e Shpalljes, qoftë nga këndvështrimi i natyrës së pastër njerëzore. Allahu i Madhëruar thotë: