– “E ku ka më të padrejtë se ai që shpif ndaj Allahut gënjeshtra, ose që mohon Argumentet e Tij? Keqbërësit nuk mund të shpëtojnë kurrë.” – Nëse unë do të trilloja se flas në emër të Zotit, do të isha më i padrejti i njerëzve dhe ju sigurisht që do të më njihnit si të padrejtë dhe gënjeshtar. Kjo do të ishte e pashmangshme, sepse Zoti jua nxjerr të palarat njerëzve të padrejtë, e sidomos atyre që shpifin në emër të Tij.
Por ju nuk më njihni si të tillë dhe unë thjesht po ju sjell juve Shpalljen e Zotit, ashtu sikurse është: të pastër, madhështore dhe të mrekullueshme. Atëherë, zullumqarë jeni ju dhe ju keni për të dështuar në qëllimet e planet tuaja ogurzeza. Ju kurrë nuk keni për të fituar dhe arritur qëllimet tuaja, nëse vazhdoni rrugën e padrejtësisë.
Fjala e Allahut: “Ata që nuk shpresojnë takimin Tonë” tregon se shkaku i arrogancës dhe padrejtësisë me të cilën ata e trajtuan Shpalljen e Zotit dhe Profetin e Tij, është pikërisht mosbesimi i jetës së përjetshme pas ringjalljes. Ata nuk shpresonin se do të takoheshin me Zotin dhe se do të merreshin në llogari.
Ajeti tregon, gjithashtu, se kushdo që beson dhe shpreson takimin me Allahun, nënshtrohet për të jetuar sipas këtij Libri dhe e beson atë, sepse ai është qëllimi më i mirë dhe ai që dëshiron me të vërtetë të adhurojë Zotin ashtu si Ai është i kënaqur dhe e ka urdhëruar; nëse e lexon Librin për të gjetur udhëzimin, ai ka për të gjetur atë, sepse është vetë Zoti që ta jep udhëzimin, nëse sinqerisht e kërkon atë.