Ky ishte një deklarim i qartë nga Allahu i Madhëruar dhe Profeti i Tij, drejtuar të gjithë idhujtarëve, se ata do të afatizoheshin për katër muaj. Gjatë kësaj kohe, ata mund të lëviznin lirisht, të sigurt nga besimtarët. Por pas katër muajve, nuk kishte më marrëveshje me ta. Sigurisht, këtu bëhej fjalë për ata idhujtarë me të cilët Profeti (a.s)nuk kishte lidhur ndonjë marrëveshje ose kishte pakt mosluftimi deri në katër muaj maksimumi. Ndërsa për ata me të cilët kishte marrëveshje me kohëzgjatje më të madhe se katër muaj, ishte i detyrueshëm respektimi i marrëveshjes deri në afatin e caktuar, nëse nuk i trembej tradhtisë nga ana e tyre, ose nëse ata nuk e shkelnin të parët paktin.
Më pas, Allahu i Madhëruar i kërcënon të afatizuarit se, edhe pse kishin këtë pakt sigurie, ata kurrsesi nuk mund t’i shpëtonin Allahut dhe ndëshkimit të Tij. Çdokush që vazhdon në shirk, le ta dijë se Allahu i Lartësuar ka për ta poshtëruar. Nëse thelloheshin në këto ajete dhe në kërcënimin e tyre, kjo do të shërbente që ata të pranonin Islamin. Mund të refuzonin veçse ata të cilët i kishte pushtuar urrejtja, inati e armiqësia ndaj të vërtetës e besimit të pastër; vetëm të tillët mund të shpërfillnin kërcënimin e Allahut të Madhëruar. 77
77Urdhri për luftë. Pas këtij lejimi, vjen urdhërimi për luftë vetëm kundër atyre që i luftojnë muslimanët. Thotë Allahu i Lartësuar: “Luftojini, në rrugën e Zotit, ata që ju luftojnë ju!” (Bekare 190). Më pas vjen urdhri për të luftuar të gjithë idhujtarët. Atëherë, fillimisht luftimi ishte i ndaluar, pastaj u lejua e më pas u urdhërua vetëm kundër atyre që hapnin lufte ndaj muslimanëve, dhe pas kësaj u urdhërua kundër të gjithë idhujtarëve. Në medhhebin e imam Ahmedit ka dy mendime për sa i përket dispozitës së kësaj detyre: është farz ajn apo farz kifaje?*
Sipas mendimit më të njohur dhe më të përhapur, është farz kifaje. Por nëse duam të analizojmë dhe të dalim në një vendim më të pjekur, mund të themi se thelbi apo esenca e xhihadit në rrugën e Zotit është farz ajn, detyrë individuale që rëndon mbi çdo musliman, sipas prirjeve dhe mundësive të tij: qoftë me zemër, me fjalë, me pasuri, me dorë e fuqi. Kësisoj, çdo musliman e ka borxh e detyrë që të zhvillojë njërën prej këtyre formave të xhihadit.
Për sa i përket pjesmarrjes në luftë me fizikun tënd, ajo është farz kifaje. Për çështjen e shpenzimit të pasurisë për luftë ka dy mendime, por më e sakta është se kjo është e detyrueshme, sepse urdhrat për të zhvilluar xhihad me fizik dhe me pasuri, nuk kanë mes tyre asnjë dallim a ndryshim në Kuran. I Madhëruari thotë: “Dilni në luftë, qofshi të fortë apo të dobët, të kamur apo të skamur, dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit!” (Teube 41).
Gjithashtu Allahu e ka lidhur ngushtë shpëtimin prej zjarrit të Xhehenemit, faljen e mbulimin e të metave, si dhe futjen në Xhenet me kryerjen e këtyre dy xhihadeve, kur thotë: “O besimtarë a doni t’ju drejtoj në një tregëti, e cila ju shpëton nga një dënim i dhembshëm?! Besojini Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe trupin tuaj. Kjo, nëse do ta dini, është më mirë për ju. Ai do t’ju falë gabimet tuaja dhe do t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në banesa të mrekullueshme në xhenetin e Adnit. Kjo është fitorja më e madhe. ” (Saf 10- 12). Zadul Mead, 3 / 84.
Ibn Ishaku tregon: “Pas kthimit nga Tebuku, Pejgamberi a.s. qëndroi në Medinë pjesën e mbetur të ramazanit, shevalin dhe dhul kiden. Pastaj dërgoi Ebu Bekrin në krye të muslimanëve, në vitin e 9-të, për të kryer haxhin, ndërkohë që haxhin do ta zhvillonin edhe idhujtarët. Ebu Bekri dhe besimtarët u nisën.” Ibn Sadi thotë ai u nis në krye të 300 burrave nga Medina.
Pejgamberi a.s. i dha për rrugë njëzet deve, të cilat ai i shënoi vetë me dorën e tij a.s. Gjatë rrugës për to do të kujdesej Naxhijeh Ibn Xhundub el Eslemi. Ndërsa Ebu Bekri përgatiti pesë deve nga ana e vet. Ibn Ishaku na tregon se gjatë kësaj kohe zbritën ajetet e sures Teube, që lajmërojnë prishjen e paktit mes Pejgamberit a.s. dhe idhujtarëve. Menjëherë pas karvanit, u nis Ali Ibn Ebu Talibi, hipur në devenë e Pejgamberit a.s., që quhej El Adbae.
Ibn Sadi rrëfen: “Kur Ebu Bekri mbërriti në El Arxhe (Ibn Aidhi thotë: “Kur mbërriti në Dexhenan”) i shkoi Aliu mbi devenë ‘Adbae’. Kur Ebu Bekri e pa, i tha: “Komandant apo i komanduar?” Aliu i tha: “I komaduar”. Pastaj vazhduan rrugën. Më tej, Ebu Bekrin pyet Aliun: “A të caktoi Pejgamberi a.s. që të udhëheqësh haxhin?” – “Jo, – i tha Aliu, por më dërgoi që të njoftoj njerëzit se pakti mes Pejgamberit a.s. dhe idhujtarëve ka marrë fund.”
Kështu ishte Ebu Bekri që udhëhoqi njerëzit në kryerjen e haxhit. Ndërsa ditën kur bëhen kurbanet, pikërisht në vendin ku kryhet riti i “gjuajtjes me gurë”, Aliu filloi t’u përcillte njerëzve mesazhin e Pejgamberit a.s. Ai i njoftoi të gjithë se marrëveshja tashmë ishte prishur. Ai tha: “O njerëz! Mohuesit e Zotit nuk kanë për të hyrë në Xhenet.
Pas viti, nuk ka për të këtij bërë haxh asnjë idhujtar. Nuk ka për t’u lejuar tavafi rreth Qabes i zhveshur. Çdokujt që ka pakt me Pejgamberin a.s., do t’i plotësohet deri në kohën e përcaktuar.”.” El Humejdi thotë: “Na ka treguar Sufjani, se i ka rrëfyer Zejd Ibn Jutheju: “Ne e kemi pyetur Aliun: “Për çfarë u dërgove në atë haxh?” Ai tha: “Unë u dërgova për të përcjellë katër çështje: (1) Në Xhenet do të hyjë veçse shpirti besimtar;
(2) nuk do të lejohej më tavafi rreth Qabes i zhveshur; (3) në Xhaminë e Shenjtë nuk do të lejoheshin më të bashkoheshin besimtarët dhe qafirët, pas atij viti; (4) dhe çdokujt që kishte marrëveshje me Pejgamberin a.s., do t’i respektohej ajo deri në afatin e caktuar, ndërsa për ata që nuk kishin marrëveshje me Pejgamberin, afati i tyre do të ishte katër muaj.”