– “Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira …” – Këta kanë iman të pastër, të sinqertë e korrekt dhe vepra të mira sipas këtij imani me zemrën, gjuhën dhe trupin e tyre. Veprat e tyre janë të sinqerta veçse për kënaqësinë e Zotit dhe tërësisht sipas porosive të Tij, prandaj dhe cilësohen si të mira dhe përmirësuese. Ata janë të sinqertë me Zotin e tyre dhe pasues besnikë të rrugës së Profetit të Tij të dashur. Ky është imani i vërtetë, që të mban në udhën e mbarë. Thotë i Madhëruari:
– “… ata i udhëzon Zoti i tyre me besimin e tyre. ” – Për shkak të këtij imani të çiltër, që mbush shpirtrat e tyre dhe i nënshtron gjymtyrët e tyre për të jetuar sipas tij, Allahu i Madhëruar i forcon dhe i bën ata të qëndrueshëm dhe të patundur në rrugën e drejtë.
Kjo është dhurata më e vyer që Zoti u dhuron atyre, si shpërblim për përkushtimin në imanin e tyre: “Udhëzimi i vazhdueshëm dhe forcimi në këtë rrugë”. Ai u mëson atyre dije të dobishme vazhdimisht e në çdo hap që hedhin dhe u jep forcë e vullnet të fortë për të punuar dhe jetuar sipas këtij imani, duke ua zbukuruar dhe duke ua bërë atë të dashur për zemrat e tyre.
Ai ua hap sytë e shpirtit, që të shohin qartë dhe të kuptojnë argumentet e Shpalljes dhe shenjat e Tij në krijim. Në jetën e kësaj bote, Zoti i udhëzon drejt rrugës së drejtë për të pranuar Islamin mes gjithë besimeve të kota, dhe pastaj i udhëzon edhe përgjatë kësaj rruge me të gjitha hollësitë e nevojshme të saj.
Ndërsa në botën e pafundme të shpërblimit e llogarisë së drejtë, Ai ka për t’i udhëzuar në rrugën drejt Xhenetit të përjetshëm, mes mirësive e lumturisë. Betohem në Zotin se, atë ditë, ata do ta njohin rrugën drejt vendbanimeve të tyre në Xhenet më mirë sesa njohim ne rrugën e kthimit në shtëpinë tonë, kur vijmë nga një udhëtim i largët.
– “Pranë tyre rrjedhin lumenj në Xhenetin e mirësive.” – Lumenjtë rrjedhin përjetësisht mes kopshteve me gjelbërim të përhershëm e të mbushura plot mirësi. Allahu i Madhëruar thotë: “në Xhenetin e mirësive “. Pra, kemi të bëjmë me një ndërtim (në arabisht) të skemës pronë-pronar, a thua se je brenda vetë mirësisë, gjë kjo që tregon se mirësia është e plotë, pa asnjë mangësi.
Në Xhenet gjenden të gjitha llojet e mirësive, ato të zemrës, që ta mbushin atë me gëzim, lumturi, dëfrim e kënaqësi; mirësi të syve, të cilët mbushen me kënaqësinë e papërshkrueshme kur shohin të Gjithëmëshirshmin, dhe dëgjimi i tyre lumturohet me dëgjimin e Fjalës së Tij. E papërshkrueshme është lumturia që sjell afërsia me të Gjithëmëshirshmin dhe kënaqësia e Tij ndaj tyre.
Pa mendo pak takimin edhe me të dashurit dhe vëllezërit e mirë në besim dhe qëndrimin së bashku me ta në shtretër të stolisur, si vëllezër të dashur dhe të përmalluar. Mes atyre kënaqësive, ata kënaqen me zëra shumë të bukur, që këndojnë dhe japin një ndjesi tejet të mrekullueshme.
Vështrimet e tyre shtangen nga bukuritë dhe hijeshitë që shohin dhe të mbushin plot gëzim e lumturi. Trupat e tyre shijojnë kënaqësi pas kënaqësie me ushqimet, pijet e marrëdhëniet intime. Asnjë shpirt nuk mund ta dijë dhe ta përshkruajë realisht kënaqësinë e tyre, dhe as ta përfytyrojë madje atë.