– ” Ata të cilët nuk e shpresojnë takimin Tonë, …” – Ata nuk shpresojnë mirësitë në takimin me Allahun, i cili është gjëja më e mrekullueshme që mund të shpresohet. Madje, ata kthejnë shpinën dhe e mohojnë këtë takim, ku shpresohet shpërblimi i Allahut.
– “… që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote dhe kanë gjetur prehje në të, ” – Ata i japin përparësi jetës së kësaj bote kundrejt jetës tjetër. Përveç kësaj: “dhe kanë gjetur prehje në të.” Kështu, ata i kushtohen tërësisht jetës në këtë botë, të cilën e konsiderojnë si të vetmin qëllim të tyre. Ata rendin vetëm për përmbushjen e kënaqësive të përkohshme të kësaj dynjaje dhe grumbullimin e stolive të saj mashtruese, pa pyetur se me çfarë rruge i fitojnë ato, hallall apo haram.
Ata vrapojnë të harruar pas dëshirave nga çdo drejtim që u vijnë ato dhe pas çdo joshje që i tërheq. Ata i shterojnë të gjitha dëshirat, qëllimet, ëndrrat, motivet, planet dhe veprat e tyre veçse në funksion të kësaj bote dhe kënaqësive të saj, duke pandehur se janë krijuar për të qëndruar përjetësisht këtu, a thua se kjo dynja nuk ka për të mbaruar për ta.
Po a nuk është kjo botë një vendkalim i përkohshëm, në të cilin udhëtari furnizohet për rrugën e gjatë drejt vendit të përjetësisë e pafundësisë? A nuk e dinë ata të mjerë se drejt asaj përjetësie kanë udhëtuar të parët dhe të fundit? Për mirësitë dhe kënaqësitë e ahiretit janë përmalluar dhe kanë udhëtuar të zgjedhurit, që Zoti i inspiroi për udhën drejt Tij dhe i zgjodhi për veten e Tij.
Si mund të mendojnë për këtë udhëtim të gjatë të dashuruarit pas kësaj bote, e cila do të fanitet e zhduket me gjithë stolitë e saj mashtruese? Ata janë tejet të pavëmendshëm dhe shpërfillës ndaj ajeteve dhe Shpalljes së Zotit, prandaj nuk mund ta gjejnë rrugën e Tij. Ai thotë:
– “… si dhe ata që janë indiferentë ndaj argumenteve tona, ” – Ata nuk përfitojnë nga ajetet kuranore dhe as nga shenjat madhështore të shfaqura në krijimin e Zotit, në horizont dhe në veten e tyre. Ai që i kthen shpinën Shpalljes dhe argumenteve të Zotit, ai e ka zhytur dhe harruar vetveten në pakujdesi të thellë dhe kurrë nuk mund të gjejë udhëzimin drejt të cilit fton ai argument.