Select Page

– “Përkryejeni namazin, jepeni zekatin dhe bini në ruku (falni namaz bashkë) me ata që bëjnë ruku!” – Domethënë: falni namaz bashkë me ata që falen. Nëse ju e bëni këtë, pasi i keni besuar profetët e Allahut dhe shpalljet e Tij, atëherë ju keni kryer dy gjëra të domosdoshme për shpëtimin tuaj, duke vënë në një nivel veprat e dukshme (të jashtme) me ato të padukshme (të brendshme).

Ju keni realizuar njëkohësisht dy shkaqet e lumturisë, të cilat janë: sinqeriteti ndaj Krijuesit (me besim e namaz) dhe bamirësia ndaj krijesave (me anë të zekatit). Në këtë mënyrë, ju keni adhuruar Allahun me veprime trupore, me akte shpirtërore dhe me pasuritë tuaja. Thënia e Allahut: “Uer-keû mear-râkiaîn” (…dhe bini në ruku me ata që bëjnë ruku), tregon se:

1. Ky është një urdhër për të falur namazin me xhemat.

2. Falja e namazit me xhemat është e detyrueshme.

3. Ruku-ja është shtyllë e namazit. Ajo është shtylla pa të cilën namazi është i pavlefshëm. Arsyeja është se vetë namazi është quajtur me emrin e kësaj pjese përbërëse të tij (që është e ruku-ja), dhe kjo tregon se ruku-ja është pjesë e domosdoshme për saktësinë e namazit. Në çdo rast, të quajturit e një adhurimi me emrin e një pjese përbërëse të tij tregon që ajo është pikërisht një nga pjesët e domosdoshme e tij, pa të cilën adhurimi është i pasaktë dhe i pavlefshëm.