– “Ai i ka bashkuar zemrat e tyre. Edhe sikur të shpenzoje gjithçka që është në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre; por ishte Allahu Ai që e bëri atë bashkim (e vëllazërim).” – Prandaj besimtarët u bashkuan dhe u deshën me njëri-tjetrin. Ishte pikërisht bashkimi i radhëve dhe dashuria e ndërsjelltë me zemër, sekreti i fuqisë së tyre. Sigurisht, kjo lidhje nuk ishte produkt i punës apo i strategjisë së ndonjërit prej tyre, por qe thjesht dhuratë bujare prej Allahut të Lartësuar. Edhe sikur të shpenzoje të gjithë arin dhe argjendin apo çdo lloj pasurie që gjendet në tokë, për të bashkuar zemrat dhe radhët e tyre, pas gjithë atyre faktorëve që shkaktonin përçarje dhe urrejtje, kurrë nuk do t’ia arrije qëllimit. Arsyeja është shumë e thjeshtë: I vetmi që ka në dorë zemrat e robërve dhe që i ndryshon ato, është Allahu i Lartësuar, që thotë:
– “Ai është Ngadhënjimtar e i Urtë.” – Tregues i fuqisë së Tij është pikërisht bashkimi dhe afrimi i zemrave të njerëzve, pas gjithë atyre shkaktarëve të përçarjes, urrejtjes dhe armiqësisë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kapuni fort që të gjithë pas “litarit” (fesë) të Allahut e mos u përçani! Dhe kujtojeni (me mirënjohje) mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju ishit të armiqësuar me njëri-tjetrin e Ai i bashkoi zemrat tuaja, dhe kështu, me mirësinë e Tij u bëtë vëllezër. Ju ishit buzë Gropës së Zjarrit dhe Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu jua sqaron Allahu Argumentet e Veta, që ju ta gjeni udhëzimin e sigurt.” [Al Imran 103].