Select Page

– “Përgatituni kundër tyre me sa fuqi të keni, përfshirë kuajt e luftës, në mënyrë që t’i fusni tmerrin armikut të Allahut dhe armikut tuaj, …” – Përgatituni sa të mundeni kundër armiqve tuaj, kundër mohuesve të Zotit, që përpiqen dhe luftojnë për t’ju shkatërruar ju dhe fenë tuaj! Përgatituni kundër tyre në të gjitha aspektet: fizike, materiale, intelektuale dhe mendore! Ky ajet është nxitje për të mësuar çdo gjë mbi përgatitjen ushtarake të luftimit dhe të mbrojtjes tokësore, detare, ajrore etj.

Gjithashtu, ai është nxitje për t’u aftësuar në nivelet më të larta të komunikimit dhe politikës, që bëjnë të mundur një përfaqësim dhe mbrojtje sa më të denjë të muslimanëve. Populli musliman duhet të jetë i edukuar me guxim e trimëri, por edhe me urtësi, zgjuarsi dhe aftësi ushtarake.

Duke aluduar për këtë ajet, Profeti (a.s)ka thënë: “Fuqia është zotësia e gjuajtjes me shigjetë (aftësia e përdorimit të armës).” Duke treguar rëndësinë e madhe të perfeksionimit të infrakstrukturës ushtarake, Allahu i Lartësuar thotë: “…Përgatituni kundër tyre me sa fuqi të keni, përfshirë kuajt e luftës.”. Në të shkuarën, ndër mjetet më të spikatura që përdoreshin në luftë ishin kuajt dhe pajime të tjera.

Kompletimi dhe shfaqja e këtyre mjeteve e frikësonin armikun, prandaj dhe kjo ishte një vepër e mirë dhe e nxitur nga Sheriati. Duke qenë se trajtimi i një çështjeje dhe gjykimi i drejtë rreth saj lidhet ngushtësisht me shkakun dhe rrugët e realizimit të saj, mund të themi se në çdo kohë është detyrë për muslimanët që të përgatiten sa më mirë ushtarakisht, në mënyrë që t’u tregojnë armiqve fuqinë e tyre. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë:

– “… si dhe të tjerëve, të cilët mund të mos i dini, por të cilët i di Allahu.” – Përgatituni mirë që të përballoni luftën kundër armiqve që ju i njihni. Por duhet të jeni gati edhe për armiq të tjerë, që ende nuk i njihni, të cilët do t’ju luftojnë më vonë, pas zbritjes së këtyre ajeteve. Ju nuk i njihni ata, por Allahu i di, prandaj dhe ju urdhëron të përgatiteni mirë ushtarakisht. Duke qenë se ndër faktorët kryesorë që ndihmojnë për këtë çështje është aspekti financiar, Allahu i Lartësuar i nxit besimtarët që të shpenzojnë në këtë drejtim:

– “Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet aspak padrejtësi.” – Çfarëdo që të shpenzoni për hir të Allahut, e pakët apo e shumtë qoftë ajo, Allahu i Lartësuar ka për t’jua dhënë të plotë shpërblimin për të, madje do t’jua shumëfishojë atë. Kështu, atyre që e shpenzojnë pasurinë në rrugën e Allahut u është premtuar se do t’u shtohet shpërblimi deri në shtatëqindfish, e shumë më tepër, nga bujaria e Allahut të Lartësuar. Siç shihet, Allahu i Madhëruar nuk i bën padrejtësi askujt, por përkundrazi, ua shumëfishon shpërblimin punëmirëve, duke u dhënë shumë më tepër sesa mund të presin.