Select Page

– “Nëse i druhesh pabesisë nga ndonjë grup, atëherë njoftoji paraprakisht për prishjen e paktit, që të jeni në kushte të barabarta!” – Nëse ke një marrëveshje paqeje ose armëpushimi me një popull dhe, në bazë të fakteve dhe shenjave, i frikësohesh tradhtisë së tyre, edhe pse me gojë dhe me vepra nuk janë shprehur qartësisht për këtë, atëherë detyra jote është: “… njoftoji për prishjen e marrëveshjes, që të jeni të barabartë!”

Bëju të ditur se nuk ka më pakt dhe armëpushim mes jush! Kështu, ty nuk të lejohet pabesia kundrejt tyre, duke shkelur pikat e marrëveshjes pa i lajmëruar, madje duhet të kesh siguri të plotë që ata e kanë marrë lajmin e prishjes së paktit. Ky është momenti kur ju dhe ata jeni të barabartë në lidhje me njoftimin për prishjen e marrëveshjes.

– “Allahu nuk i do të pabesët.” – Allahu i Madhëruar ka urrejtje të madhe për të pabesët, prandaj është e domosdoshme që ju të siguroheni mirë për njoftimin e prishjes së paktit me armikun tuaj, në mënyrë që të jeni të pastër dhe askush të mos ju akuzojë për pabesi. Ajeti tregon se nëse është vërtetuar me fakte e prova shkelja e aktmarrëveshjes nga mohuesit, nuk është më e nevojshme procedura e njoftimit të tyre për prishjen e marrëveshjes.

Ajeti tregon gjithashtu se, nëse nuk i druhesh atyre për tradhti, madje je i sigurt se ata nuk e shkelin marrëveshjen, atëherë nuk të lejohet kurrsesi që ta prishësh këtë marrëveshje, por është detyrë respektimi i saj deri në afatin e caktuar.