Select Page

“Njëlloj ishte tradita e popullit të Faraonit dhe e të tjerëve më përpara. Ata i konsideronin gënjeshtra Shpalljet e Zotit të tyre prandaj Ne i shkatërruam, për shkak të gjynaheve që bënë dhe njerëzit e Faraonit i fundosëm. Të gjithë këta ishin keqbërës.” – Kjo ka qenë gjithmonë përgjigjja e mohuesve ndaj shpalljeve të Allahut. Sa herë që atyre u vinte Shpallja dhe profetët e Zotit, të mbështetur me mrekulli dhe shenja madhështore, në vend që të pendoheshin dhe të nënshtroheshin për të jetuar dhe për ta adhuruar Zotin sipas porosive të Tij, ata kundërshtonin dhe zhyteshin më thellë në shfrenime dhe në gjynahe.

Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar zbriste mbi ta ndëshkimin që meritonin, që çdokush të shpërblehej sipas punës së vet. Për shembull, Allahu i Lartësuar e mbyti në det Faraonin dhe rrethin e tij, si ndëshkim i merituar për padrejtësitë e tyre. Pa dyshim, të gjithë popujt e shkatërruar ishin zullumqarë të mëdhenj. Ishin vetë ata që parapëlqyen rrugën e humbjes, të joshur nga stolitë e kësaj bote të përkohshme.

Allahu i Lartësuar nuk u bëri atyre asnjë padrejtësi dhe kurrë nuk do t’i ndëshkonte ata nëse nuk do të zhyteshin në gjynahe. Këto ajete janë kërcënim i qartë për gjithë ata që kanë marrë mesazhin e Kur’anit. Duket sikur Allahu i Lartësuar thotë: Kini kujdes, o njerëz, që të mos ndiqni rrugën e mohuesve dhe zullumqarëve përpara jush, sepse kështu do të meritoni të njëjtin ndëshkim si ata.