Select Page

“Ju ishit në anën më të afërt të luginës, ndërsa ata në anën më të largët të saj, …” – Kuptimi: Ju kishit dalë përballë njëri-tjetrit në një luginë. Ata ishin pozicionuar diku larg Medinës, ndërsa ju në një vend afër Medinës.

– “… ndërsa karvani ishte më poshtë jush.” – Karvani për të cilin dolët ishte në krahun e bregdetit. Por Allahu kërkonte diçka tjetër për ju.

“Edhe sikur ta kishit planifikuar me njëri-tjetrin atë takim, nuk do të kishte qenë aq i përcaktuar mirë.” – Edhe sikur ta kishit bërë me fjalë me armikun për t’u takuar në këtë mënyrë, nuk do t’ia arrinit. Ishte Allahu i Madhëruar Ai që, me diturinë dhe urtësinë e Tij, kishte përcaktuar gjithçka:

“Por ishte Allahu Ai që e kishte përcaktuar të ndodhte, dhe ashtu ndodhi, …” – Allahu ju vuri përballë në këtë mënyrë, për të realizuar diçka të parapërcaktuar që më parë. Do të ndodhte pikërisht ashtu sikurse e kishte përcaktuar Zoti i Madhëruar, në mënyrë që:

“… me qëllim që jobesimtarët të mund ta dinin se kanë mohuar pasi e vërteta iu bë e qartë …” – Ky do të ishte argument i qartë për çdo kokëfortë dhe arrogant. Pas kësaj ngjarjeje, ata që do të zgjidhnin rrugën e humbjes, do ta bënin këtë me vetëdije të plotë. Ata do të jetonin, do të luftonin dhe do të vdisnin për kauzën e zgjedhur me vetëdije të plotë, të bindur për kotësinë dhe pavërtetësinë e saj. Kështu, ata nuk do të kishin më justifikim përpara Allahut të Madhëruar.

– “… ndërsa besimtarët të mund të vazhdonin të besojnë pasi e vërteta u bë e qartë.” – Besimtarëve do t’u shtohej qartësia dhe siguria në të vërtetën, për të cilën luftonin. Me gjithë ato argumente dhe mrekulli te dukshme që shfaqi atë ditë, Allahu u shtoi imanin besimtarëve të mençur, por edhe zhvleftësoi çdo justifikim të mohuesve të së vërtetës. Ajo ngjarje shërben gjithmonë si kujtim për të diturit dhe të urtët.

– “Allahu Dëgjon dhe Di gjithçka.” – Allahu është El Semiu – Ai që i dëgjon të gjitha zërat, me shumëllojshmërinë e gjuhëve, nevojave dhe kërkesave. Allahu është gjithashtu El Alimu – i Gjithëdituri, i Cili di çdo gjë që duket dhe çdo gjë që fshihet. Asgjë nuk mund t’i fshihet diturisë absolute dhe gjithëpërfshirëse të Allahut.