Allahu i Lartësuar na bën të qartë armiqësinë, kurthet dhe intrigat e idhujtarëve, të cilët kanë shpallur hapur luftë kundër besimit të vërtetë. Ajeti tregon përpjekjet e idhujtarëve për shuarjen e dritës së Allahut të Lartësuar, për mbulimin e fjalës dhe mesazhit të Tij. Ai na siguron se të gjitha këto kurthe dhe intriga do t’u kthehen dhe do të godasin ata vetë, që i ngrejnë, sepse, normalisht, kurthet dhe intrigat e padrejta godasin veçse thurësit e tyre. Kështu, i Lartësuari thotë:
– “Ata që nuk besojnë, e shpenzojnë pasurinë e tyre për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut.” – Jobesimtarët investojnë pasurinë e tyre, që e vërteta të paraqitet si e kotë dhe që e kota të forcohet dhe të përhapet sa më tepër. Ata përpiqen të pengojnë njësimin e Rahmanit në adhurim. Ata luftojnë që të triumfojë dhe të përhapen besëtytnitë e idhujtaria.
– “Dhe kështu do të vijojnë ata ta shpenzojnë atë; …” – Ata do ta shpenzojnë pasurinë, madje me lehtësi, sepse janë shumë të përkushtuar ndaj së kotës dhe e urrejnë shumë të vërtetën, por kjo sakrificë do t’ju sjellë veç dëshpërim, poshtërim dhe përçmim.
– “… por në fund ata do të kenë vetëm dëshpërim; …” – Ata do të mposhten, pa arritur qëllimin pse e shpenzojnë gjithë atë pasuri. Kështu, iu ikën pasuria dhe iluzionet e tyre. E vetmja gjë që fitojnë është ndëshkimi i ashpër i Allahut të Lartësuar. Duke treguar përfundimin e dëshpëruar të tyre, Allahu i Lartësuar thotë:
– “… dhe pastaj ata do të mposhten. Të gjithë mohuesit do të grumbullohen në Xhehenem. Allahu do t’i veçojë të këqijtë nga të mirët dhe të këqijtë do t’i vërë njërin mbi tjetrin e të gjithë bashkë do t’i hedhë në Xhehenem.” – Aty do të grumbullohen të gjithë, që të shijojnë së bashku ndëshkimin e ashpër të Zotit të Lartësuar. Xhehenemi është vendi ku do të mblidhen të gjithë të poshtërit, së bashku me poshtërsitë e tyre.
Allahu i Lartësuar dëshiron që të dallohen qartë kotësitë e poshtërsitë nga e vërteta dhe e çmuara, prandaj secilin lloj do ta grumbullojë më vete në një vend të caktuar, ku të gjithë do të përjetojnë atë që meritojnë. Kështu, të pistën, të ligat dhe të poshtrit, Allahu i Lartësuar do t’i grumbullojë së bashku njëri mbi tjetrin. Me fjalë të tjera, të gjitha punët e këqija, të gjitha pasuritë e këqija, si dhe njerëzit që i punojnë apo i fitojnë dhe shpenzojnë ato, Allahu i Lartësuar ka për t’i bashkuar të gjithë në Xhehenem.
– “Këta janë të humburit.” – Këta do të humbin veten, pasurinë dhe familjet e tyre Ditën e Gjykimit. Ky është shkatërrimi i vërtetë.