– “O Allah! Nëse ky (Kur’an) është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë Dënim të rëndë!” – Kuptimi: Nëse kjo Shpallje, ky Sheriat apo ky ligj, sipas të cilit na fton Muhamedi që të jetojmë dhe të adhurojmë Zotin, është e vërteta, atëherë, o Zot, na zbrit një dënim nga qielli! Me këto fjalë, ata donin të tregonin se ishin të sigurt në rrugën që kishin zgjedhur për veten e tyre, duke mohuar Shpalljen e Muhamedit dhe duke vazhduar sipas mendjes së tyre.
Nga ana tjetër, kjo tregon se mohuesit ishin tërësisht të paditur, të pavëmendshëm, mospërfillës dhe përçmues ndaj Shpalljes madhështore, ku i ftonte Muhamedi a.s. Sidoqoftë, edhe sikur të ishin në rrugë të humbur, për shkak të dyshimeve që kanë, nëse ata do të thoshin: “O Zot, nëse kjo që përcjell Muhamedi është e vërteta nga ana Jote, atëherë na udhëzo në rrugën e drejtë!”, kjo do të ishte më e drejtë, më e logjikshme dhe më e pranueshme, pasi, në fund të fundit, do ta mbulonte deri diku padrejtësinë e tyre.
Por meqë ata nuk kërkuan udhëzimin, porse kërkuan ndëshkimin, kjo tregon se ishin fare mendjelehtë, të palogjikshëm, injorantë dhe të padrejtë në sjelljen dhe komunikimin me Zotin e Lartësuar. Nuk e dinin, të mjerët, se nëse Allahu i Lartësuar do t’ua përshpejtonte ndëshkimin, askush prej tyre nuk do të mbetej i gjallë? Por Allahu i Lartësuar tregon se u la afat, pasi profeti Muhamed (a.s)ishte mes tyre: