Allahu i Madhëruar u kujton robërve besimtarë mirësitë e Tij të shumta, ndër të cilat ishte triumfi, pasi më herët kishin qenë të nënshtruar e të përçmuar, ose edhe shtimin e radhëve të tyre, pasi kishin qenë të pakët në numër dhe të përçarë. Kjo qe ndihma e Zotit, që erdhi pas lutjeve të shumta. 69
– “Kujtoni kur ju ishit të paktë në numër e të dobët në vend dhe frikësoheshit se mos njerëzit ju gllabëronin, …” – Kujtoni kur ishit nën gjykimin dhe sundimin e të tjerëve, në gjendje frike e ankthi!
– “… por Ai ju strehoi dhe ju përkrahu me ndihmën e Tij!” – Allahu ju krijoi mundësinë të keni një vend, ku të strehoheni. Ishte Allahu që ju dhuroi fitore mbi armiqtë tuaj, duke marrë plaçkë të madhe lufte prej tyre.
– “Ai ju furnizoi me të mira, që ju të jeni mirënjohës.” – Të gjitha këto mirësi, Allahu jua dhuroi që të jeni mirënjohës ndaj bujarisë së Tij të madhe. Pa dyshim, mënyra e kërkuar nga ju për t’i shprehur mirënjohjen është ta adhuroni Allahun si Një e të Vetëm, pa e përlyer adhurimin tuaj me idhujtari të çdo ngjyre.
69 Pejgamberi a.s. e kaloi atë natë duke u falur pas trungut të një peme, atje në Bedër. Ishte nata e premte, e datës 17 të muajit Ramazan, në vitin e dytë të hixhretit. Lufta nisi të ashpërsohej dhe të marrë formën e saj të plotë. Pejgamberi a.s. vazhdonte t’i lutej dhe t’i përgjërohej me lutje Zotit të tij të Lartësuar.
Aq shumë i ngrinte duart lart, sa prej supeve i ra dhe rroba e tij. Sidiku (Ebu Bekri) r.a. ia hodhi krahëve rrobën që i ra, dhe i tha: “Mjaft iu lute Zotit tënd, se Ai pa dyshim do ta plotësojë premtimin që të ka dhënë!”. Shkëputur nga “Zadul mead” vell 3