Select Page

– “Kujtoni kur Allahu ju premtoi se njëri prej dy grupeve do të ishte juaji. Ju dëshironit të kishit përballë të paarmatosurit …” – Allahu i Madhëruar u premtoi besimtarëve njërën nga dy mirësitë: ose karvanin me gjithë plaçkën e tij, ose luftën dhe triumfin mbi armikun.

Besimtarët e dëshironin më shumë karvanin dhe plaçkën e tij, për shkak të varfërisë dhe nevojës së madhe që kishin në atë kohë dhe sepse kjo alternativë qe më pak e vështira. Por Allahu i Madhëruar dëshironte diçka më të lartë dhe më të mirë sesa ajo që synonin ata. Ai donte që t’u dhuronte fitoren mbi idhujtarët, si edhe poshtërimin e zhdukjen e krerëve të kufrit.

– “… por Allahu deshte të përligjte të vërtetën me fjalën e Tij e të shkulte rrenjët e mohuesve, …” – Allahu deshi që të shfaqej e vërteta e të triumfonte. Duke ndihmuar të dashurit e Tij, i Madhëruari donte të tregonte se cila qe e vërteta nga njëra anë, dhe të çrrënjoste të kotën nga ana tjetër. Gjithashtu, Allahu donte t’u tregonte besimtarëve shenjat e madhështisë së Tij dhe format e ndihmës që do t’u jepte, të cilat ata kurrë nuk i kishin imagjinuar.