– “Sikur Ne t’i mëshironim ata dhe t’ua largonim fatkeqësinë që u ka rënë, ata do të ngulmonin me kryeneçësi në shfrenimin e tyre.“ – Në këto ajete jepet qartë inati, rebelimi i madh dhe mosmirënjohja e tyre ndaj Zotit. Kur u bie ndonjë bela, ata i luten Zotit dhe i premtojnë se nëse Ai do t’ua largojë fatkeqësinë dhe vuajtjet, do ta besojnë dhe do t’i nënshtrohen Atij. Ndonjëherë, Allahu i Madhëruar i sprovon ata që t’i kthehen dhe t’i nënshtrohen. Por kur Ai ua largon vështirësinë, ata zhyten më thellë në shfrenim e poshtërsi. Ata harrohen në mohimin e tyre dhe janë tërësisht të humbur e të devijuar.
Allahu përshkruan gjendjen e tyre kur janë në anije, në mes të dallgëve: “Ai jua bëri të mundur udhëtimin në tokë e në det. Kur janë në anije, të cilat i lëviz era e lehtë, ata janë të lumtur me këtë; por, kur vjen ndonjë erë e fortë dhe ata përfshihen nga valët nga të gjitha anët, ata binden se janë të shkatërruar; prandaj e lusin Allahun me sinqeritet, duke iu përkushtuar vetëm Atij në fenë e Tij (duke thënë): “Nëse na shpëton nga kjo gjendje, ne do të të jemi gjithnjë falënderues.” Por, kur Ai i shpëton, ata përsëri i kalojnë kufijtë në tokë, pa asnjë të drejtë. O ju njerëz! Padrejtësia juaj është veçse kundër vetes suaj. Ky është veçse një përjetim i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne. Ne do t’ju tregojmë gjithçka që keni bërë.” [Junus 22, 23].