– “(Ne u patëm thënë): “O ju të dërguar (të Allahut)! Hani (të gjitha) gjërat që janë të mira dhe të pastra dhe bëni vepra të mira!“ – Ky është një urdhër që Allahu i Madhëruar ua ka drejtuar të gjithë profetëve të Tij: që të ushqehen me ushqime të këndshme, të mira, pra, me rizkun hallall, dhe ta falënderojnë e shprehin mirënjohjen Atij. Mirënjohja shprehet nëpërmjet punëve të mira, përmes të cilave rregullohen zemra dhe trupi, kjo jetë dhe ahireti. Pastaj u tregoi se Ai është i Gjithëditur për çdo përpjekje që bëjnë për hir të Tij.
– “Unë di gjithçka që ju bëni.“ – Ai ka për t’ju dhënë shpërblimin më të mirë. Kjo tregon se të gjithë profetët kanë qenë unanimë në lejueshmërinë e ushqimeve të pastra e të mira dhe i kanë pasur të ndaluara të pistat dhe të këqijat. Gjithashtu, ata kanë qenë unanimë në urdhërimin për vepra të mira, edhe pse në disa urdhëresa mund të kenë pasur ndryshime. Sidoqoftë, të gjitha veprimet e tyre kanë qenë të mira, por të gradave të ndryshme, sipas kohës dhe vendit. Kështu mund të themi me bindje se çdo vepër e mirë, e cila është e tillë në çdo kohë dhe vend, ka qenë gjithmonë ligj i pranuar unanimisht dhe i kryer nga të gjithë profetët.
Nga të tilla baza të pandryshueshme të mirësisë mund të përmendet urdhri për teuhidin dhe largimin nga shirku, sinqeriteti në adhurim e përkushtimin vetëm ndaj Tij, dashuria për Zotin, frikërespekti për Të, shpresa ndaj Tij, bamirësia e të gjitha llojeve, vërtetësia, çiltërsia e largimi nga gënjeshtra, plotësimi i premtimeve, ruajtja e lidhjeve farefisnore, bamirësia ndaj prindërve, të varfërve e jetimëve, bamirësia ndaj të gjitha krijesave. Për këtë arsye, dijetarët dhe të urtët që kishin njohuri për librat e shkruar hyjnorë, në kohën kur u dërgua Muhamedi (a.s) si profet, argumentonin për vërtetësinë e profetësisë së Tij duke parë natyrën e urdhëresave që Ai solli dhe të ndalesave që caktoi.
Kështu veproi për shembull, Herakli. Kështu, duke qenë se ai përcillte të njëjtat urdhëresa si profetët para tij dhe ndalonte të njëjtat gjëra si edhe profetët para tij, kjo tregonte se edhe ai ishte njëlloj si ata. Ndryshe ndodh me profetët e rremë, të cilët ndalojnë nga të mirat dhe urdhërojnë për ligësi, nga të cilat profetët e shkuar i kanë ndaluar unanimisht popujt e tyre. Prandaj Allahu i Madhëruar u drejtohet profetëve dhe u thotë: