Ne i bëmë mirësi të shumta Isait, të birit të Merjemes, dhe të dy ata i bëmë si shenjë e mrekulli për njerëzit. Nëna e tij mbeti shtatzënë pa qenë nevoja për një marrëdhënie intime me burrë dhe e lindi atë fëmijë në kushte të vështira. Pastaj Zoti e bëri Isain që të fliste që në djep. Allahu i Madhëruar bëri që në duart e këtij profeti të shfaqeshin mrekulli të shumta.
Duke shtjelluar këtë histori, Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe i vendosëm në një rrafshnaltë (të qetë) plot me burime uji.” Ata u strehuan në një vend të lartë. Kjo ndodh gjatë kohës kur Merjemja po bëhej gati të lindte Isain. Ai ishte një vend i qetë, i rehatshëm, me një burim uji ose përrua të vogël afër. Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Por një zë i thirri nga poshtë (hurmës): “Mos u brengos! Zoti yt bëri të rrjedhë pranë teje një përrua. Shkunde trungun e hurmës dhe do të bien hurma (të pjekura) të freskëta! Ha, pi dhe qetësohu!” [Merjem 24 – 26].