Disa dijetarë janë shprehur se Allahu i Lartësuar, pasi dërgoi Musain dhe zbriti Teuratin në tokë, e ndaloi zbritjen e dënimeve shfarosëse në Tokë dhe ligjëroi luftën kundër mohuesve të profetëve. Nuk e di se ku është mbështetur ky opinion, por duke vërejtur me kujdes kontekstin e këtyre ajeteve dhe disa të tjerëve në suren Kasas, mbase jepet një kuptim i tillë. Nga konteksti i këtyre ajeteve kuptohet në njëfarë mënyre se, pas shkatërrimit të popujve me ndëshkime qiellore, Allahu dërgoi Musain me shenja e argumente të qarta, për të filluar kështu një kapitull të ri në trajtimin e popujve që do të mohonin.
Nëse dikush mendon të kundërtën prej faktit se Zoti e ndëshkoi me shfarosje Faraonin dhe popullin e Tij, këtyre i përgjigjemi duke thënë se shkatërrimi i Faraonit ndodhi para zbritjes së Teuratit. Madje ajetet e sures Kasas janë të qarta në këtë fakt, kur Allahu i Madhëruar thotë: “Pasi i shkatërruam popujt e mëparshëm, Musait i dhamë Librin, që është dritë për njerëz dhe udhëzim e mëshirë, që të marrin mësim.” [Kasas 43]. Ajeti është shumë i qartë se Allahu ia dha Musait Librin pas shkatërrimit të Faraonit dhe pasi dënoi shumë popuj me ndëshkime shfarosëse.
Gjithashtu, Allahu thotë se Ai e zbriti këtë Libër si udhëzim të qartë për njerëzit, si mëshirë për ta dhe si dritë për të parë rrugën e drejtë. Për të njëjtin kuptim flasin edhe ajetet në suren Junus, ku Allahu i lartësuar thotë: “Pas tij, Ne u çuam të dërguar popujve të tyre. Ata sollën argumente të qarta, por ata nuk e besonin atë që më parë e kishin mohuar. Kështu, Ne ua vulosim zemrat atyre që i kalojnë kufijtë. Pastaj, pas tyre, Ne dërguam Musain dhe Harunin me argumentet Tona, te Faraoni dhe paria e rrethit të tij. Por ata treguan kryelartësi, sepse ishin popull keqbërës.” Siç shihet, këtu flitet në njëfarë mënyre për dy epoka të ndryshme, nga Nuhu deri tek Musai dhe për epokën pas Musait. Allahu i Lartësuar këtu thotë:
– “Më pas Ne dërguam Musanë dhe vëllanë e tij Harunin me mrekullitë dhe Argumentet tona të qarta, te Faraoni dhe rrethi i tij. Por ata u treguan kryeneçë, sepse ishin popull arrogant. – Musai, i biri i Imranit, është ai të cilit i foli vetë Rrahmani. Haruni ishte vëllai i Musait, të cilin Zoti e bëri profet pas kërkesës së Musait dhe lutjes për këtë. Allahu i Madhëruar i dërgoi ata me mrekulli dhe argumente të qarta, që provonin vërtetësinë e tyre si profetë të dërguar nga Zoti dhe për vërtetësinë e mesazhit hyjnor që ata përcollën. Allahu i Madhëruar i pajisi ata me “sultanun mubin” – domethënë, me argument të qartë, të prerë e të pakundërshtueshëm. Ai lloj argumenti i nënshtronte shpirtrat, nga fuqia e madhe ndikuese në to. Zemrat e besimtarëve nënshtroheshin për adhurimin e Zotit dhe zbatimin e Ligjit të Tij.
Ndërsa mohuesit arrogantë nuk kishin justifikim para Zotit për refuzimin e tyre. Kjo i ngjan fjalës së Zotit, kur thotë: “Ne i dhamë Musait nëntë shenja (mrekulli) të qarta.” [Isra 101]. Për këtë arsye, kryemohuesi dhe kreu i të gjithë arogantëve, Faraoni, e njohu të vërtetën, por dhe e mohoi atë, edhe pse i sigurt për vërtetësinë e saj. I Lartësuari thotë: “Pyeti (o Muhamed) bijtë e Izraelit, për ngjarjen kur ai (Musai) ishte mes tyre dhe Faraoni i tha: “O Musa, unë mendoj se ti je i magjepsur.” Por Musai i tha: “Ti e di me siguri të plotë se ato (mrekullitë) nuk i zbriti askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës. Ai i zbriti ato të dukshme, e unë besoj, o Faraon, se ti je i shkatërruar!.”. [Isra 101, 102]. Gjithashtu, thotë i Madhëruari: “Ata i mohuan ato (argumentet) në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, edhe pse ishin të bindur dhe të sigurt në to (se ishin nga Zoti). Shikoje atëherë, se cili ishte fundi i shkatërrimtarëve!” [Neml 14].
Ndërsa këtu thotë: “Ne dërguam Musain dhe vëllanë e tij Harunin me mrekullitë dhe argumentet tona të qarta, te Faraoni dhe rrethi i tij…”. Pra, e dërgoi tek Faraoni, Hamani e të tjerë krerë të mohimit. Por ata u treguan kryeneçë. Ata treguan mendjemadhësi dhe arrogancë, prandaj refuzuan besimin në Allahun dhe t’u bindeshin profetëve të Tij. Kështu i përshkruan ata Allahu i Madhëruar, kur thotë: “…por ata u treguan kryeneçë…” Ky ishte përshkrimi i vërtetë i tyre. Ata ishin popull arrogant e kryeneç. Tirania e padrejtësia, shkatërimi i tokës, mizoria e shtypja e njerëzve ishte tipar i pandashëm i tyre, prandaj edhe u treguan kryeneçë ndaj së vërtetës. Ky përshkrim nuk është aspak i tepruar për ta, sepse në vijim Zoti thotë: “… ishin popull arrogant.” Me arrogancë dhe të dehur nga mendjemadhësia e pushteti i tyre, duke manipuluar mendjet e pasuesve të tyre injorantë e me logjikë të dobët, ata thanë: