Ata që nuk e besonin Profetin (a.s)këmbëngulnin në të kotën e tyre. Allahu i Madhëruar thotë që, çfarëdo shenje a mrekullie t’u tregoje atyre, ata përsëri nuk do të besonin, edhe pse ndonjëherë vinin si kusht për të besuar shikimin e kësaj apo asaj mrekullie.
– “Kur nuk u sjell ndonjë mrekulli, ata thonë: “Përse nuk zgjedh një nga ato (mrekullitë e sygjeruara)?”” – Kur nuk u sjell ndonjë shenjë që ata të kanë propozuar, thonë: “Përse nuk zgjedh një nga ato shenja që kërkojmë ne?” A thua sikur është Profeti vetë ai që përcakton se çfarë shenjash hyjnore do të shfaqen. Ata nuk duan ta kuptojnë se ti nuk ke në dorë asgjë. Prandaj dhe Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij të thotë:
– “Thuaju: “Unë i përmbahem vetëm asaj që më shpallet nga Zoti im.” – Unë thjesht jam një rob i nënshtruar e i përkushtuar, që zbaton urdhrat e Zotit të tij. Është Allahu i Lartësuar Ai që i zbret shenjat, sipas urtësisë së Tij absolute. Nëse vërtet dëshironi një shenjë, një mrekulli, që kurrë nuk ka për të humbur, që askush nuk mund ta sfidojë, në të gjithë kohërat, atëherë ja ku e keni Kur’anin madhështor, kujtuesin e mbushur përplot me urtësi:
– “Ky (Kur’an) është argument i qartë nga Zoti juaj. Ai është udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.” – Kur’ani është libër ku çdokush mund të gjejë udhëzimet dhe kërkesat e Zotit të Lartësuar. Çdo njeri mëson aty qëllimin e lartë të jetës. Kur’ani është përgjigje e qartë dhe shteruese për çdo pyetje dhe dilemë të njeriut. Cilido që mediton dhe thellohet në këtë libër e kupton dhe bindet plotësisht se ai është Shpallje e Zotit të Urtë dhe të Lavdishëm.
Çdokush që ka patur rastin të lexojë e kuptojë Kur’anin nuk do të ketë asnjë justifikim përpara Zotit të Lartësuar, nëse nuk i bindet. Shumica e njerëzve nuk e njohin rëndësinë dhe madhështinë e këtij libri, por për besimtarët ai është udhëzim e mëshirë. Besimtarët që ndjekin Kur’anin kanë për të gjetur lumturinë në dynja dhe në ahiret. Ndërsa ata që nuk e besojnë Kur’anin janë të humbur në errësira dhe të shkatërruar në dynja dhe ahiret.