Në këtë ajet jepet mënyra se si duhet të përballesh me shejtanët njerëz dhe xhindë. Allahu i Lartësuar thotë:
– “E nëse të ngacmon Shejtani me ndonjë tundim, kërko mbrojtje tek Allahu, sepse Ai Dëgjon dhe Di gjithçka. – Në çfarëdo kohe dhe gjendjeje të ndiesh trazim prej Shejtanit të mallkuar, kërko mbrojtje tek i Madhërishmi. Kurdoherë që robi ndien se Shejtani i mallkuar po i fut vesvese, po e frenon nga kryerja e veprave të mira ose po e nxit për të kryer vepra të këqija, atëherë le të kërkojë ndihmë, mbrojtje dhe strehim tek Allahu i Lartësuar, “sepse Ai Dëgjon dhe Di gjithçka”. Ai i dëgjon të gjitha lutjet që i drejton, ashtu edhe kërkesën tënde për mbrojtje.
Allahu është i Gjithëditur, prandaj e di qëllimin tënd, por edhe për dobësinë tënde. Ai e di mirë këmbënguljen dhe përgjërimin tënd në lutje, prandaj ka për të të mbrojtur nga vesveset e shejtanit të mallkuar. Allahu i Lartësuar na mëson se si t’i kërkojmë mbrojtje Atij pikërisht në suren En-Nas, kur thotë: “Thuaj: “Kërkoj strehë te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari i njerëzve, prej së keqes së nxitësit të ligësisë, që rri në pritë (i fshehur), i cili i trazon zemrat e njerëzve, qoftë ai nga xhindët apo nga njerëzit.”!”.