– “Edhe nëse i ftoni për t’i udhëzuar, ata nuk ju përgjigjen. Për ju është njëlloj, i thirrët ata apo nuk i thirrët.” – O idhujtarë, nëse ju i ftoni idhujt tuaj të kthehen në rrugën e drejtë, ata nuk ju përgjigjen. Si t’i ftoni, si të mos i ftoni, ata nuk kanë për t’ju dëgjuar. Kështu, njeriu qëndron më lart se idhujt, sepse idhujt nuk dëgjojnë, nuk shikojnë, nuk udhëzojnë, nuk udhëzohen dhe nuk dallojnë dot të mirën nga e keqja. Mjafton të meditosh pak në këto fakte dhe e kupton se adhurimi i idhujve është i padobishëm, madje i dëmshëm dhe i dënueshëm. Çdo njeri i mençur e kupton se idhujtarët janë mendjelehtë dhe të padrejtë me adhurimet e tyre të kota.