– “Është Allahu Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), …’’ – Allahu ju krijoi ju të gjithëve, o njerëz, burra e gra, sado të shumtë, të ndryshëm dhe të shpërndarë të jeni në tokë. Allahu ju krijoi të gjithëve nga një njeri i vetëm, i cili ishte Ademi, babai i njerëzimit.
– “… prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), për të gjetur qetësinë tek ajo.” – Allahu i Madhëruar krijoi nga Ademi (a.s) gruan e tij, Havanë, me qëllim që burri të gjente prehjen dhe qetësinë e nevojshme. Gruaja u krijua nga burri, që mes tyre të ketë gjithmonë afrimitet, tërheqje dhe dashuri, duke gjetur secili prehjen tek tjetri.
– “Kur njeriu e mbulon (kontakton me) gruan e tij, ajo ngarkohet me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdon me të (pa e ndier).” – Allahu i Lartësuar ka përcaktuar që, kur burri dhe gruaja bashkohen në marrëdhënie intime, nga ky bashkim i ethshëm të sigurohet vazhdimësia e llojit njerëzor. Kështu, gruaja bart një barrë të lehtë nga burri, e cila nuk ndihet dhe vihet re nga gruaja në fillimet e saj.
– “Por kur ajo (barrë) rëndohet, ata të dy e lusin Allahun, Zotin e tyre: “Nëse na jep fëmijë të mirë, do të të jemi vërtet mirënjohës.”” – Por pas njëfarë kohe, barra në trupin e saj nis të rëndohet, të duket dhe të ndihet. Në këtë moment, zemra e nënës dhe babait fillon të ndiejë dhembshuri prindërore për foshnjën që pritet.
Ata luten dhe shpresojnë që ai të dalë i gjallë dhe i shëndetshëm, i pastër dhe i sigurt nga çdo lloj mangësie. Ata lusin Allahun e Lartësuar: “O Zot, nëse na jep pasardhës të mirë, do të jemi vërtet mirënjohës ndaj Teje. Nëse na fal një fëmijë të shëndetshëm e pa defekte, ne kemi për të qenë mirënjohës dhe falënderues për dhuratën Tënde.”.