– “Ndërsa ata që i mohojnë Shpalljet Tona, Ne do t’i shpiem dalëngadalë drejt shkatërrimit, pa e kuptuar.” – Këtu flitet për ata që shpërfillin dhe i quajnë të kota Shpalljet e Zotit të Lartësuar. Ata nuk i pranojnë shenjat e Allahut të Lartësuar, që tregojnë për saktësinë dhe vërtetësinë e mesazhit të Muhamedit a.s. Për këta njerëz, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’i shpiem dalëngadalë drejt shkatërrimit, pa e kuptuar.”
Allahu i Lartësuar do t’i pasurojë në këtë botë, derisa ata të mendojnë se nuk kanë për t’u dënuar nga Ai. Kështu, ata do ta shtojnë edhe më shumë kundërshtimin, gjynahet dhe krimet e tyre. Në këtë mënyrë, atyre do t’u shtohet masa e ndëshkimit prej Allahut të Lartësuar, domethënë, ata shkatërrojnë vetveten dhe nuk e kuptojnë se si.